Ish-bashkëpartiaku i Albin Kurtit tani drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri thotë se çështja e Asociacionit do të jetë pikë kryesore e dialogut, ashtu siç edhe ka qenë në vazhdimësi.
Por, kur flet për çështjen e Asociacionit Ymeri, pohon se kryeministri Kurti dhe Qeveria kanë qenë disi të dykuptimtë karshi kësaj teme.
“Deri tash kryeministri Kurti dhe Qeveria kanë qenë disi të dykuptimtë (thënë së buti) karshi kësaj çështjeje: në njërën anë gatishmëria e kryeministrit ta pranojë që aty tekstin e draft statutit dhe pastaj deklarimet e tij të fund vitit se ka gatishmëri ta shkruajë një Statut në bashkëpunim me ministrat e qeverisë”, ka thënë ai.
Por, pavarësisht kësaj Ymeri deklaron se në fund të fundit draft-statuti do të jetë ai që është propozuar nga Bashkimi Evropian.
Ymeri përmend edhe disa pika në këtë draft të propozuar nga BE-ja e që sipas tij janë elemente të autonomisë.
“Po e vërteta mbetet një, përtej deklarimeve të politikës ditore. Draft- statuti do të jetë ai i propozuar nga BE e në të cilin pastaj do të përfshihen për aq sa është e mundshme komentet e palëve. Këtu vijmë te pikat problematike të cilat janë ngritur në opinionin publik prej se është publikuar teksti i draftit e që kanë të bëjnë me Rezolutën 1244, Komisionin e Arbitrazhit, përfshirja e Serbisë në sistemin arsimor e shëndetësor të komunitetit serb në Kosovë. Pra, përgjithësisht me elementet problematike të autonomisë kogja të gjerë e të thellë që parashihet në atë dokument”, ka pohuar Ymeri.
Por të paqartë e sheh dërgimin e këtij draft-statuti në Gjykatën Kushtetuese, pa u shndërruar në vendim të Qeverisë.
Dhe, për këtë thotë se kjo e fundit do të ketë punë të rëndësishme në trajtimin e këtij drafti.
“Gjykata Kushtetuese do të ketë punë të rëndësishme në trajtimin e këtij drafti. E shkuarja deri te ajo mbetet ende e paqartë marrë parasysh se qeveria po insiston që të dërgohet në Gjykatë pa u shndërruar drafti njëherë në vendim qeverie”, ka thënë ndër të tjera Ymeri.