Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, tash kryetar i Nisma-s në Prizren, Zafir Berisha, e ka humbur betejën në Gjykatën e Apelit me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj. Rasti i kanosjes ndaj Totajt për të cilin ishte shpallur fajtor përfundoi në Apel pas ankesës së Prokurorit të Shtetit për vendimin e Gjykatës në Prizren.
Zafir Berisha ishte shpallur fajtor për veprën penale “Kanosje” dhe ishte dënuar me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, por i njëjti dënim ishte zëvendësuar me 600 euro gjobë.
Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor, ankesë kishte ushtruar Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren “për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vendimit mbi sanksionin penal , me propozim që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin”, ashtu që ndaj Berishës të shqiptojë dënim me burgim efektiv ose dënim me gjobë më të lartë.
Ankesa e Prokurorisë është aprovuar nga Apeli dhe si rezultat është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren – duke i shqiptuar Berishës dënim me gjobë në shumën prej pesë mijë euro.
“APROVOHET si e bazuar ankesa e Prokurorit te shtetit, NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore, në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, P.nr 727/22, të datës 18.10.2022, per vendimin mbi denimin, ashtu që Gjykata e Apelit e Kosovës, të akuzuarit Z.B per shkak te vepres penale kanosja nga neni 181 par 3 lidhur me par 2 te KPRK-se per te cilen është shpallur fajtor nga Gjykata e shkalles se pare ,I shqipton denim me gjobe ne shumen prej 5000 (pese mije) euro te cilin denim eshte I obliguar ta paguaj ne afat prej 15 ditesh nga dita e plotfuqishmerise se ketij aktgjykimi. Në pjesët tjera, aktgjykimi mbetet i pa ndryshuar” – thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Në arsyetimin për këtë vendim thuhet se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë nuk është adekuat me rrezikshmërinë e shtuar shoqërore të këtyre veprave penale dhe nuk është i mjaftueshëm që të arrihet qëllimi i dënimit.
“…andaj duke pasur parasysh të cekurat më lartë, rrethanat e rastit konkret, si dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, kjo gjykatë vlerëson se ka bazë të mjaftuar, që të ashpërsohet dënimi, andaj kolegji penal i kësaj gjykate, e aprovojë ankesën e Prokurorit, në këtë drejtim, dhe të akuzuarit i shqiptoj dënim si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, duke e ndryshuar dhe ashpërsuar të njëjtin, në dënim me gjobë 5000(pese mije) €, e të cilën gjobë i akuzuari, obligohet që ta paguajnë në afat prej 15 ditesh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm, dhe se tani ky dënim është në proporcion me shkallën e përgjegjësisë penale te të akuzuarit si ekzekutor dhe me intensitetin e rrezikimit apo dëmtimit të vlerës së mbrojtur, e posaçërisht duhet të jetë në funksion të preventivës gjeneralë dhe asaj individuale dhe se me dënimin e shqiptuar do të mund të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitën e nenit 38, të KPRK-së.” – përfundon vendimi i Apelit.