Një tragjedi ka ndodhur në shkollën fillore `Preçko` në Zagreb.
Një shtetas kroat 19-vjeçar ka sulmuar me thikë një mësuese dhe disa nxënës. Si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë një fëmijë.
Sulmuesi dyshohet se ka plagosur veten, raporton HRT.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë Davor Bozhinoviq ka deklaruar se janë të tronditur nga kjo ngjarje.
“Ne jemi thellësisht të tronditur si gjithë opinioni nga kjo ngjarje e tmerrshme, rreth orës 9:50 të mëngjesit të sotëm, një autor 19-vjeçar ka hyrë në shkollën fillore të Preçkos dhe ka sulmuar me lëndë të mprehtë mësuesen dhe nxënësit”, tha ai.
Drejtoresha e spitalit të Klaiqit, Iva Hojsak, ka thënë se dy djem të moshës 11 dhe 7 vjeç janë sjellë me plagë të shumta me thikë, por fatmirësisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Ajo shtoi se procedura diagnostike është ende në vazhdim, sepse duhet të përcaktohet serioziteti i lëndimeve.