Dialogu Kosovë – Serbi mbetët një temë e rëndësishme për vendin dhe ndërkombëtarët.
Padyshim që një zbatim të marrëveshjeve kërkohet vazhdimisht nga ndërkombëtarët, mirëpo Serbia është ajo e cila nuk pranon zbatim, por zgjatje të bisedimeve.
Por kohëve të fundit ka marrë vëmendjen zgjedhjet që do të mbahen në SHBA dhe BE, e që në shumë raste po mendohet do të ketë ‘heshtje’ në raport me dialogun Kosovë – Serbi.
Por në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur politologu Fidan Ukaj.
Ai thotë se viti filloi me një ofensivë diplomatike mirëpo që në zbatim të marrëveshjeve nuk u arrit.
Fidan Ukaj
Sipas tij, viti 2024 do të jetë vit i ‘zbehtë’ sa i përket presionit ndërkombëtar mbi palët në zbatim të marrëveshjeve të akorduara më herët.
“Kishte përpjekje maksimale në fillim të këtij viti, një ofensivë diplomatike e zotit Lajçak edhe zotit Escobar me vizitat e tyre në rajon, Kosovë dhe Serbi në funksion të zbatimit të marrëveshjeve, megjithatë nuk kishte një lëvizje në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dhe mendoj viti 2024 do të jetë vit i ‘zbehtë’ sa i përket presionit ndërkombëtar mbi palët në zbatim të marrëveshjeve të akorduara më herët, për arsyje se zoti Lajçak do të largohet nga facilitimi i procesit dialogues, e poashtu edhe zoti Escobar e me gjasë edhe zoti Borrell”, u shpreh ai.
Më tej, politologu shton që ndrrimi i ndihmuesëve të procesit dialogues e poashtu zgjedhjet në BE e SHBA, e minimizojnë angazhimin ndërkombëtarë në presion mbi palët për t’i zbatuar marrëveshjet.
“Muaji Qershor është muaji zgjedhor në Bashkimin Evropian e fundviti në SHBA, që i bie se ndrrimi i facilituesëve (ndihmuesëve) të procesit dialogues e poashtu zgjedhjet në BE e SHBA, e minimizojnë angazhimin ndërkombëtarë në presion mbi palët për t’i zbatuar marrëveshjet e dakorduara më herët. Me gjasë edhe në Kosovë, vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme nacionale”, përfundoi politologu Ukaj për “Bota sot”.
Kujtojmë që bisedimet tash e një kohë të gjatë kanë qenë prezente mirëpo pa një përfundim që sjellë një marrëveshje të zbatuar nga dy palët.