Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly, ka njoftuar këtë të premte që sekretari parlamentar i kësaj ministrie, Robert Oliphant, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë midis datave 14-17 prill.
Ai do të marrë pjesë në Forumin e Grave për Paqe dhe Siguri, ku do të ketë disa aktivitete dhe diskutime mbi thirrjet e zgjimit për ndryshimet e mjedisit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Oliphant do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe “lider rajonalë e partnerë kyç”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kanadasë.
“Përgjatë këtyre takimeve, ai do të diskutojë se si Kanadaja mund të mbështesë dialogun Prishtinë-Beograd drejt një marrëveshjeve gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të identifikojë mundësi të tjera për Kanadanë dhe Kosovën që të vijojnë me promovimin e paqes, stabilitetit politik dhe progresit ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, vazhdon njoftimi.
Oliphant do të takohet me pjesëtarët kanadezë të KFOR-it dhe ata që OSBE-së që shërbejnë në Kosovë.