Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.
Në shumë raste viktima janë edhe vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, të cilët përkundër që dinë moshën e tyre të re dhe të ndjeshme, krijojnë raporte intime me to.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur në Shtedim të Podujevës, ku një vajzë 17-vjeçare dyshohet të jetë dhunuar seksualisht nga një person.
Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari e ka marrë vajzën dhe e ka dërguar në një motel, ku dyshohet se e ka detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale.
Të gjithë ngjarjen e trishtë e ka zbuluar e mitura, e cila ka rrëfyer se si gjithçka nisi me presion dhe kërcënime nga i dyshuari për disa pamje që i posedon.
Si rezultat i denoncimit, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti në drejtim të veprës penale ‘Dhunim’ dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme për kapjen e të dyshuarit.