Një konflikt mes dy grupesh të rinjsh mbrëmë në Vushtrri përfundoi tragjikisht, me vrasjen e një 27-vjeçari. I riu dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri, teksa dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Numri i të arrestuarve tashmë ka shkuar në pesë, ndërkohë që janë zbuluar detaje të reja për motivin e këtij krimi të rëndë.
Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 16:00, në rrugën “Mehmet Konjuhi” në Vushtrri, ku dy grupe, ku përfshihej viktima Fatos Zenuni dhe të dyshuarit, Jetmir Sinani, Edin Beka dhe të tjerët fillimisht u përleshën mes vete, derisa Sinani nxori armën dhe shkrepi.
Pesë personat që ranë në prangat e Policisë tashmë ndodhen në ndalim policor. I dyshuari kryesor lidhur me rastin është Jetmir Sinani, 24-vjeçar, i cili po hetohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, teksa katër të arerstuarit e tjerë, duke përfshirë edhe Edin Bekën, po dyshohen për veprën “Pjesëmarrje në rrahje”.
Palët e përfshira, të ndara në dy grupe fillimisht janë rrahur mes vete dhe motivi dyshohet se lidhet me një rast të mëhershëm, pra një përleshje që dyshohet se kishte ndodhur në mes tyre, por që nuk kishin arritur t’i qëronin hesapet.
Edhe në konfliktin që kanë pasur më parë, viktima dhe shokët e tij kanë qenë të përfshirë në njërën anë dhe në anën tjetër i dyshuari që e vrau bashkë me shokët e tij, disa prej të cilëve janë arrestuar për përleshjen e mbrëmshme.
Siç mëson Sinjali, pasi Faton Zenuni u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i vdekur në vend, shokët e tij, që ndodheshin bashkë me të në momentin kritik dyshohet se janë larguar me disa vetura dhe tashmë po kërkohen nga Policia.
Teksa Prokuroria është në përgatitje të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, Policia në koordinim me prokuroren e rastit janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar prova që zbardhin rrethanat e rastit.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani.
Njëri nga të plagosurit në gjendje të rëndë
Dy personat që pësuan plagë nga të shtënat me armë, Liridon Musliu dhe Ilmi Shaqiri po vazhdojnë trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka deklaruar se gjendja e njërit prej tyre, që po trajtohet në Mjekim Intensiv është në gjendje të rëndë shëndetësore.