Zbardhen detaje nga atentati ndaj Gentjan Bejtjas.
Autorët që dyshohet se kanë qenë 4 persona janë afruar me automjetin tip ‘Land Rover’ fuoristradë nga zona e Fushë-Krujës në drejtim të Larushkës.
Ata janë futur rreth orës 16:20 minuta në rrugicën ku ndodhej vila e Gentian Bejtjas në fshatin Larushk, e cila ishte e rrethuar e gjitha me mure.
Autorët e kanë afruar makinën deri afër portës kryesore të banesës ndërsa më pas dyshohet se kanë zbritur 3 nga autorët të cilët kanë qenë të maskuar dhe me veshje të zeza me 3 kallashnikovë më duar.
Ndërsa një nga autorët dyshohet se i ka pritur në makinë për t’u larguar.
Porta e madhe e vilës së Gentian Bejtjas ka qenë e hapur dhe autorët kanë mundur të futen direkt brenda oborrit. Gentjan Bejtja ka qenë vetëm disa metra larg nga oborri pasi po merrej me disa punë mbrapa vilës së tij.
Aty autorët e kanë qëlluar me breshëri automatikut duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas janë larguar. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur rreth 50 gëzhoja kallashnikovi, që sipas të dhënave paraprake janë qëlluar nga 3 kallashnikovë. Autorët më pas kanë hipur në makinën tip “Land Rover” ngjyrë e bardhë dhe kanë dalë në rrugën kryesore që lidh Fushë Krujën me Kamzën.
Ata kanë marrë drejtimin për nga fshati Hasan në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës vetëm disa kilometra larg vendit të ngjarjes ku edhe kanë djegur makinën.
Sipas hetuesve dyshohet se aty janë pritur nga një tjetër automjet që i ka larguar nga vendi ku i kanë vendosur flakën automjetit te dyshuar se u përdor në krim.
Policia ka sekuestruar disa kamera të bizneseve të aksit rrugor ku dyshohet se ka kaluar makina e autorëve.