Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zbulohet kur dhe si BE mund t’i largojë masat ndëshkuese për Kosovën?

Moslargimi i masave ndëshkuese nga BE-ja, përkundër marrëveshjes për de-përshkallëzim të situatës në veri, po shihet shqetësuese nga Institucionet e Kosovës dhe po konsiderohet qasje e padrejtë për vendin, shkruan Botasot.

Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, vlerëson se tash e sa kohë BE ka qëndrime të njëanshme përball Kosovës, për faktin që pesë vende të BE-së akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Koci në një prononcim dhënë për “Botasot” deklaron se moslargimi i masave nga BE-ja, përkundër marrëveshjes për de-përshkallëzim të situatës, do të jetë i tillë deri te ndryshimi i qëndrimit të pesë vendeve.

 Image Melazim Koci 

“Bashkimi Evropian tash e sa kohë ka qëndrim të njëanshëm dhe të padrejtë ndaj Kosovës. Gjithnjë përderisa ka pesë vende të BE-së që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, qëndrimi i tyre përballë Kosovës do të jetë i njëanshëm ose si thonë ata – neutral. Rrjedhimisht, moslargimi i masave ndaj Kosovës nuk është i befasishëm. Ai do te jetë i tillë, pra i padrejtë deri te ndryshimi i qëndrimit të 5 vendeve që nuk njohin shtetësinë e Kosovës”, deklaron ai.

Tutje ai thekson se edhe Kosova duhet të jetë më bashkëpunuese në përmbushjen e marrëveshjeve.

“Edhe Kosova duhet të jetë më bashkëpunuese në përmbushjen e ujdisë së para dy javëve Bislimi – Petkoviq dhe pastaj edhe të Marrëveshjes franko – gjermane. Jetësimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit është në interesin e Kosovës. Këto marrëveshje e dërgojnë Kosovën në organizatat ndërkombëtare dhe edhe në NATO. Kësaj i frikësohet Serbia dhe për këtë ajo dëshiron minimin e marrëveshjes franko – gjermane, por duke mos marrë fajin ose përgjegjësinë e dështimit te saj, përkatësisht duke e fajësuar Kosovën. Në këto rrethana, BE nuk është duke u dëshmuar si ndërmjetës efektiv. Që dialogu të ketë sukses dhe të jetësohet, herët a vonë duhet përfshirje direkte e SHBA-ve. Uashingtoni ka autoritetin dhe instrumentet për presion të baraspeshuar te të dy palët”, thotë Koci.

Lëvizja Vetëvendosje dhe njohës të integrimeve evropiane presin që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pas arritjes së marrëveshjes për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Mirëpo, në Bashkimin Evropian kërkojnë nga Kosova që të vazhdojë të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë për marrëveshjen e arritur, derisa nuk pranuan të komentojnë mundësinë e largimit të masave ndaj Kosovës.

Ndër masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë pezullimi përkohësisht i punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe fondeve IPA. Në kuadër të dakordimit të 10 korrikut në Bratislavë të Sllovakisë, Kosova është pajtuar për ulje të prezencës së Policisë së Kosovës në objektet e katër komunave dhe pajtueshmërinë për organizim të zgjedhjeve të parakohshme pas stinës së verës.