Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zbulohet motivi: Prokuroria shpalos detaje të reja për plagosjen e 40-vjeçarit në Vushtrri

 
   

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka zbuluar sot se motivi i tentim-vrasjes së 40-vjeçarit N.V. në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë të martën, ishte një mosmarrëveshje pronësore.

Dy familje hynë në një sherr për shkak të punimit të një toke në Sllatinë të Vushtrrisë.

Si pasojë e konfliktit, B.O., e nxori revolen dhe e gjuajti me predhë në trup të dëmtuarin N.V., tha sot Prokuroria në një njoftim për propozimin e caktimit të paraburgimit për të dyshuarin B.O..

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin B.O., pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria tha po ashtu se të pandehurit arma – revolja – i është gjetur dhe konfiskuar gjatë kontrollit të shtëpisë nga ana e policisë.

I pandehuri gjendet në ndalim me aktvendim të prokurorit të shtetit.