Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zbuloi detaje të padëgjuara për korrigjimin e kufijve, Bytyçi me fjalë të mëdha për Bahtirin: Demaskoi Thaçin, Ramën e Haxhiun

 
   

Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka zbuluar se projekti mbi korrigjimin e kufijve iu prezentua personalisht nga ish-presidenti Hashim Thaçi, e cila ide sipas tij ishte e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe gazetarit Baton Haxhiu.

E ndaj kësaj deklarate të Bahtirit ka reaguar profesori Enver Bytyçi.

Ai në një postim në Facebook e vlerësoi lartë Bahtirin dhe deklaratat e tij mbi korrigjimin e kufijve i cilësoi sit ë një rëndësie historike.

“Por zoti Bahtiri na vjen si dëshmitar në këtë gjyq publik, që zhvillohet prej gati shtatë vitesh. Deklarata e tij shënohet në historinë politike të Kosovës dhe Shqipërisë, duke definuar përfundimisht kualifikimin e politikanëve përkatës.

Merita tjetër e Agim Bahtirit është se ai, për ta kundërshtuar këtë projekt, u largua nga PDK dhe iu bashkëngjit Vetëvendosjes. Unë e besoj atë kur thotë se shkak i këtij qëndrimi dhe kapërcimi politik ishte ideja dhe ndjenja e tij kombëtare, përkatësisht kundërshtia e tij për ndarjen e Kosovës”, shkroi ndër të tjera Bytyçi, transmeton “Bota sot”.

Postimi i plotë

Nderim maksimal për Agim Bahtirin!

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë deklarata të një rëndësie historike sa i përket përpjekjeve që në vitet 2017-2020 u bënë për ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e shtetësisë së saj. Ai pranon se këtë ide dhe variant të “zgjidhjes” së konfliktit me Serbinë ia ka thënë atij vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Mua ma ka thanë personalisht Hashim Thaçi”, tha ai. Më pas zoti Bahtiri tha se “i kam pas detajet e mjaftueshme prej tij”.  

Dhe duke e zgjeruar informacionin rreth atij procesi shkatërrues për Kosovën dhe kombin shqiptar, Agim Bahtiri shprehet: “Mendoj që Hashimi është futë në një oqean ndoshta edhe pa dashje dhe ai projekt unë mendoj që ka qenë i dëmshëm për Kosovën dhe e kam kundërshtuar. Ky plan ka rrjedhë nga Edi Rama dhe Baton Haxhiu dhe të tjerët që e kanë ndihmuar”. “E kam kuptu masanej që është ide e Edi Ramës”, u shpreh ai.

Këto deklarata demaskuese për autorët dhe aktorët anti-shqiptarë e anti-Kosovë, të cilët fatkeqësisht ishin në krye të shtetit të Kosovës dhe vazhdojnë të jenë në krye të shtetit të Shqipërisë, pra kjo deklaratë shënon kthesë historike në trajtimin e kësaj çeshtjeje. Të gjitha çfarë sot tha ish-kryetari i Mitrovicës janë thënë nga ana ime dhe e shumë politikanëve dhe analistëve kundërshtarë të idesë së ndarjes së Kosovës.

Por zoti Bahtiri na vjen si dëshmitar në këtë gjyq publik, që zhvillohet prej gati shtatë vitesh. Deklarata e tij shënohet në historinë politike të Kosovës dhe Shqipërisë, duke definuar përfundimisht kualifikimin e politikanëve përkatës.

Merita tjetër e Agim Bahtirit është se ai, për ta kundërshtuar këtë projekt, u largua nga PDK dhe iu bashkëngjit Vetëvendosjes. Unë e besoj atë kur thotë se shkak i këtij qëndrimi dhe kapërcimi politik ishte ideja dhe ndjenja e tij kombëtare, përkatësisht kundërshtia e tij për ndarjen e Kosovës.

Sot pamë një hero të fjalës së lirë dhe një patriot që orientohet shpejt në mbrojtje të interesave të shtetit dhe atdheut. Uroj që të gjithë ata politikanë dhe njerëz të tjerë që kanë dëshmi të tilla, ti bëjnë ato publike, sepse kësisoj ndihëmohet politika shqiptare dhe izolohen politikanët anti-kombëtarë!