Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka thënë se ky subjekt politik as nuk e ka ndihmuar kryeministrin Kurti me ardh në pushtet, e as nuk e ndihmon për të qëndruar në pushtet.
Xhemaili ka thënë se është momenti i fundit që partitë tjera opozitare të tregojnë se si e mendojnë ata ta çojnë Kurtin në shtëpi.
“Përderisa partitë e tjera opozitare pajtohen që qeverisja Kurti është e dëmshme për vendin dhe se Kurti duhet sa më parë të shkojë në shtëpi, njëkohësisht hezitojnë ta mbështesin mocionin e mosbesimit të Aleancës. Ky është një tregues serioz i pavendosmërisë për të ruajtur vendin nga rreziqet e qe i sjell qeverisja. Prandaj tani është momenti që të tregojnë se si e mendojnë ata ta çojnë Kurtin në shtëpi nëse jo përmes mocionit! Apo vërtetë presin që të ndodh ndonjë mrekulli vetvetiu?”, është shprehur Xhemaili.
Ai ka thënë se ata që e njohin Kushtetutën, të na tregojnë se si shkarkohet qeveria nëse jo me mocion.
“Sa për t’i rikujtuar gjithë atyre që akuzojnë se Aleanca paska ndihmuar ardhjen e Kurtit në pushtet, kjo le te mbetet ne ndërgjegjen e secilit. As se kemi ndihmuar as nuk e mbajmë në pushtet. Mos rreshtimi pas nismës për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, mund të jetë zgjatje e agonisë në vend, me ose pa vetëdije”.
“Ju që dini me e lexu Kushtetutën a po na tregoni si shkarkohet qeveria, nëse jo me mocion?”, ka thënë Xhemaili.