Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, thotë se biseda në mes të Kusarit dhe Radojçiq zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat kombëtare.
“Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë”, tha ai.
Mustafa thekson se Vetvendosje me dyer të mbyllura, janë të gatshëm të komprometojnë vlerat dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike.
“Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke nxjerrë në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, tha ai.
Mustafa thotë se prokuroria e shtetit duhet të hetojë këtë rast me ugjencë. “Ftojmë prokurorinë e shtetit të hetojë këtë rast me urgjencën dhe prioritetin më të lartë, pasi që interesat tona kombëtarë janë shtruar tani më me një terrorist të konfirmuar”, tha ai.