Sekretarja për media e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, ka konfirmuar se ai ka vdekur më 16 shkurt në një burg në Rusi. Ai ishte 47 vjeç.
Kira Yarmysh shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se nënës së Navalnyt i është dërguar një mesazh zyrtar ku thuhej se ai kishte vdekur në orën 14:17, sipas kohës lokale.
“Aleksei Navalny u vra”, shkroi ajo.
Yarmysh shtoi se një punonjës i burgut, IK-3 në Siberi, i njohur edhe si “Ujku polar”, ka thënë se trupi i pajetë i Navalnyt është dërguar në Salehard dhe është marrë nga hetuesit e Komitetit Hetues të Rusisë.
“Ata tani po kryejnë ‘hetime’ me trupin e tij. Ne kërkojmë që trupi i Aleksei Navalnyt t’i dorëzohet menjëherë familjes së tij”, shkroi ajo.
Përmes një deklarate, më 16 shkurt një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë deklaroi se e Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.
Një autoambulancë shkoi në tentim për t’i ofruar ndihmë mjekësore, por ai vdiq, u tha në deklaratë.
“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus.
Familja e tij dhe as ekipi i Navalnyt nuk konfirmuan menjëherë këtë njoftim, por u bë e ditur se një avokat ishte nisur drejt burgut në Siberi, ku Navalny po vuante një dënim të gjatë.
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih, bashkëshortja e Navalnyt, Yulia, për këtë ngjarje fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin, dhe Qeveria e tij, që sipas saj, duhet të përballen me drejtësinë.
Njoftimi i autoriteteve ruse për vdekjen e Navalnyt nxiti zemërim dhe dënim nga liderët botëror që thanë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit. Presidenti amerikan, Joe bIden, ka bërë përgjegjës Putinin për vdekjen e raportuar të Navalnyt.
Alexey Navalny was murdered. His death occurred on February 16 at 2:17 p.m. local time, according to the official message to Alexey’s mother.
An employee of the colony said that the body of Navalny is now in Salekhard. It was picked up by investigators from the IC. Now they are…
— Кира Ярмыш (@Kira_Yarmysh) February 17, 2024