Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksi Reznikov, është shkarkuar nga posti i tij. Kjo u bë e ditur nga presidenti Ukrainës, Volodymyr Zelenski. Reznikov ishte në krye të ministrisë që përpara fillimit të pushtimit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes së të dielës, Presidenti Zelensky tha se ishte koha për “qasje të reja” në ministrinë e Mbrojtjes. Rustem Umerov, i cili drejton Fondin e Pronës Shtetërore të Ukrainës, është emëruar nga Zelensky si pasardhësi i Reznikov.
“Unë besoj se ministria ka nevojë për qasje të reja dhe formate të tjera të ndërveprimit si me ushtrinë ashtu edhe me shoqërinë në tërësi,”- tha presidenti ukrainas në fjalimin e tij nga kryeqyteti Kiev.
Mediat ukrainase kanë spekuluar se Reznikov do të bëhet ambasadori i ri i Kievit në Londër, ku ai ka zhvilluar marrëdhënie të mira me politikanë të lartë.
Reznikov, 57 vjeç, është bërë një figurë e njohur që nga fillimi i luftës në Ukrainë. I njohur ndërkombëtarisht, ai ka marrë pjesë rregullisht në takime me aleatët perëndimorë të Ukrainës dhe ka luajtur një rol kyç në lobimin për pajisje shtesë ushtarake.
Por shkarkimi i tij ishte parashikuar prej disa kohësh. Javën e kaluar, Reznikov u tha gazetarëve se po eksploronte pozicione të tjera me presidentin ukrainas.
Sipas mediave ukrainase, ish-ministri i Mbrojtjes tha se nëse Zelenski i ofronte mundësinë që të punonte në një projekt tjetër, ai ndoshta do të pajtohej.
Shkarkimi i tij vjen në mes të një përpjekjeje më të gjerë kundër korrupsionit në administratën e Zelenski, me zhdukjen e korrupsionit në shtet që shihet si thelbësore për dëshirën e vendit për t’u bashkuar me institucionet perëndimore si BE.
Ndërsa z. Reznikov nuk akuzohet personalisht për korrupsion, ka pasur një sërë skandalesh që kanë të bëjnë me prokurimet në ministrinë e Mbrojtjes për mallra dhe pajisje për ushtrinë.
Në fillim të këtij viti, zëvendësi i Z. Reznikov, Vyacheslav Shapovalov, dha dorëheqjen pas skandalit. U raportua gjerësisht në atë kohë se z. Reznikov mezi e mbajti postin e tij.
Shkarkimi i tij vjen pasi Ukraina po zhvillon një kundërofensivë të ngadaltë dhe të përgjakshme pasi siguroi armë më të avancuara nga aleatët perëndimorë.
Progresi në vijën e frontit ka qenë i ngadaltë, por gjeneralët e lartë ukrainas kanë thënë së fundmi se trupat e Kievit po godasin mbrojtjen kryesore ruse. BBC
Tags: shkarimi i ministrit te Mbrojtjeszelensky