Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zelensky e cilëson “jashtëzakonisht simbolike” vizitën e kryeministrit spanjoll

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi më 1 korrik kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchezm për vizitën në Kiev, në ditën kur Spanja nisi presidencën e saj të Bashkimit Evropian.

“Faleminderit për vizitën tuaj të rëndësishme dhe mbështetjen e popullit tonë!” tha Zelensky në rrjetet sociale, pas takimit me kryeministrin spanjoll.

“Është jashtëzakonisht simbolike që kjo vizitë të bëhet në ditën e parë të presidencës spanjolle të BE-së”, shtoi ai.

Kryeministri i Spanjës, që nga sot e deri në fund të këtij viti udhëheq me presidencën e BE-së, u takua edhe me zyrtarë të tjerë të Ukrainës në tentim për ta dështuar mbështetjen e vazhdueshme të bllokut evropian për Ukrainën.

Sanchez e shfrytëzoi këtë vizitë për ta lajmëruar një pako të re të ndihmave për Ukrainën para parlamentit ukrainas. Pakoja e re, në vlerë prej 55 milionë eurosh, synon t’i mbështesë bizneset e vogla dhe shkollat, sipas mediumit spanjoll El Mundo.

Ky udhëtim erdhi ndërkohë që liderët ushtarakë dhe civilë të Ukrainës kanë bërë kërkesa për furnizim me armatim të avancuar, përfshirë avionë luftarakë, për ta mbështetur kundërofensivën e nisur së fundi, pas pushtimit të paprovokuar nga Rusia 16 muaj më parë.

Sanchez u citua të ketë thënë në Kiev se “ne jemi me ju dhe do të jemi për aq kohë sa të ketë nevojë”, duke shtuar se “dua të ju tregoj se do ta mbështesim Ukrainën, pavarësisht çmimit”.

Pas ardhjes së tij, Sanchez e publikoi një video nga një stacion trenash në Kiev ku ai u prit nga një delegacion ukrainas.

“Doja që veprimi i parë i presidencës spanjolle të Këshillit të Bashkimi Evropian të jetë në Ukrainë bashkë me Zelenskyn”, shkroi Sanchez në Twitter.

Sanchez shtoi se ai do ta përçonte në parlamentin dhe qeverinë ukrainase “solidaritetin e të gjithë Evropës”.

“Do ta vazhdojmë mbështetjen tonë për popullin ukrainas deri kur paqja të kthehet në Evropë”, tha ai.

Sanchez raportohet se udhëtoi në Ukrainë përmes Polonisë.

Kjo vizitë vjen pak para një samiti të NATO-s në kryeqytetin e Lituanisë këtë muaj, ku aleatët transatlantikë pritet të përpilojnë një strategji për marrëdhëniet me Ukrainën, e cila ka intensifikuar në thirrjet për anëtarësim në BE dhe NATO që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit 2022.

NATO-ja nuk pritet të ofrojë anëtarësim në samitin e Vilniusit.

Tags: