Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zelensky e ul moshën e rekrutimit, thotë se Kievi s’ka nevojë t’i mobilizojë 500.000 trupa

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina nuk ka nevojë t’i mobilizojë 500.000 trupa të tjerë në ushtrinë e vet – një ide e cila u propozua në fund të vitit të kaluar – por shtoi se nuk e di se sa trupa saktësisht i nevojiten.

Duke folur në 3 prill në një konferencë për media me homologun e vet finlandez, Alexander Stubb, Zelensky theksoi se i është mirënjohës Komitetit Qendror për raportin e tij të hollësishëm për mbrojtjen e Ukrainës, duke thënë se ai gjeti “fuqi brenda Forcave të Armatosura”.

Zelensky tha se raporti, i cili ishte kërkuar nga komandanti i përgjithshëm, gjeneral kolonel Oleksandr Syrskiy, gjeti se shifra prej 500.000 trupave ishte e gabuar, kryesisht sepse ushtarët në dispozicion mund të dërgohen nga prapavija në front.

Më 2 prill, Zelensky e nënshkroi një projektligj për uljen e moshës së thirrjes në ushtri nga 27 në 25 vjeçe, që është tregues se ai ka nevojë për rekrutë të rinj, dy vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të vendit fqinj.

Zelensky tha gjatë konferencës më 3 prill me Stubb se Rusia është duke u përgatitur t’i thërrasë në ushtri 300.000 trupa më 1 qershor. Por, kjo është mohuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencie ruse të lajmeve.

Presidenti ukrainas foli përsëri për qëllimet e Moskës për mobilizim mbrëmjen e së mërkurës.

“Ne e kuptojmë qartë se për çfarë po përgatiten ata në Rusi, se çfarë duan, se për çfarë do të rekrutojnë ushtarë…dhe ne, të gjithë ne, partnerët tanë, duhet patjetër t’i përgjigjemi fuqishëm operacioneve ruse”, tha Zelensky.

Rusia është duke e rritur ushtrinë në dy mënyra – përmes thirrjes në ushtri të qytetarëve nga mosha 18 deri në moshën 30-vjeçare përmes një fushate që nisi më 1 prill dhe përmes nënshkrimit të kontratave me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se më shumë se 100.000 njerëz kanë nënshkruar kontrata prej fillimit të këtij viti.

Ndërkohë, Stubb tha gjatë konferencës më 3 prill se Finlanda do t’i dërgojë Ukrainës ndihmë shtesë ushtarake në vlerë 188 milionë euro, përfshirë kundërajrorë dhe municion.

Ai theksoi se pakoja e re do ta çojë në 2 miliardë euro shumën e përgjithshme të ndihmës ushtarake që Finlanda ia ka dhënë Ukrainës prej vitit 2022.

“Ne nuk po e japim këtë ndihmë ushtarake vetëm që Ukraina ta mbrojë veten, por po e japim këtë ndihmë ushtarake që Ukraina ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai.

Finlanda e nënshkroi të mërkurën një pakt 10-vjeçar të sigurisë me Ukrainën./rel