Presidenti Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjen e tij ndaj aleatëve të Ukrainës që t’i lejojnë shtetit që të përdorë armët e avancuara perëndimore për të goditur thellë brenda Rusisë. Kjo thirrje u bë pasi një sulm izraelit në Harkiv la të vrarë tre persona dhe plagosi të paktën 36 persona.
Dy djem, të moshës 11 dhe 15 vjeç, ishin në mesin e viktimave, njoftuan autoritetet.
Forcat ruse raportohet se kanë përdorur bombat e llojit FAB-500 për të sulmuar një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë. Këto lloje bombash janë armë të fuqishme që Rusia gjithnjë e më shumë po përdor për të sulmuar caqet civile brenda Ukrainës.
“Tragjikisht, ka viktima, përfshirë fëmijë dhe më shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja”, shkroi Zelensky në X, duke bashkëngjitur një video nga vendi i sulmuar.
Guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov, ndërkaq deklaroi se kati i katërt i ndërtesës u godit nga bombat, duke shkaktuar zjarr. Pas këtij sulmi, në pjesë të Harkivit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, shkruan REL.
Sulmi në Harkiv ishte i treti gjatë kësaj jave. Të paktën katër persona u vranë në dy sulmet paraprake në qendër të qytetit, sulme që u kryen me bomba dhe raketa.
“Partnerët e shohin se çfarë po ndodh çdo ditë”, shkroi Zelensky, duke shtuar se “në rrethana të tilla, çdo vonesë në vendimin nga ana e tyre nënkupton që Rusia do të përdor dhjetëra apo edhe qindra bomba kundër Ukrainës”.
“Vendimi i tyre shpëton jetën e popullit tonë”, tha ai.
Për një kohë të gjatë, Ukraina kërkon nga aleatët e saj leje për të përdorur sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi për të shënjestruar caqet civile thellë brenda territorit rus, në mënyrë që të shkatërrojë aftësinë e Moskës për të goditur infrastrukturën civile dhe energjetike në Ukrainë.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtete të tjera perëndimore deri më tani kanë refuzuar të lejojnë sulme të tilla, duke argumentuar se këto sulme do të mund të përshkallëzonin konfliktin.