Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zëvendësministrja e Jashtme: URACult ftoi botën të njohë bukurinë dhe kreativitetin e Kosovës

 
   

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga URACult, me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të saj, një nga organizatat që ka luajtur rol thelbësor në promovimin e kulturës së Kosovës dhe Ballkanit në arenën ndërkombëtare.

Ajo, derisa ka uruar URACult-in për shënimin e një dekade punë dhe arritje të treguara në misionin e tyre, e cilësoi këtë organizatë si një simbol të bashkëpunimit ndërkulturor, duke nënvizuar rëndësinë e artit si gjuhë universale që tejkalon kufijtë dhe dallimet.

“URACult ka dëshmuar fuqinë e artit për të ndërtuar ura mes njerëzve dhe për të promovuar paqe e mirëkuptim.  Përmes projekteve të saj të jashtëzakonshme, ajo ka ftuar botën të njohë bukurinë dhe kreativitetin e Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit, duke forcuar idenë se kultura është një thesar që u përket të gjithëve”, tha zëvendësministrja.

Derisa ka përmendur disa nga aktivitetet e suksesshme të kësaj organizate, Gashi falënderoi themeluesin dhe ekipin e URACult-it për rolin që ka luajtur, veçanërisht në mes të diasporës shqiptare në Gjermani dhe vendlindjes.

“Me pasion, përkushtim dhe vizion, ju keni krijuar një platformë që lidh kultura, promovon vlera universale dhe ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për artin dhe kulturën tonë”, theksoi zëvendësministrja.

Gashi e përmbylli fjalimin e saj duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për promovimin e artit dhe të kulturës së Kosovës.

Në përvjetorin e URACult-it, zëvendësministrja ishte e shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, dhe nga u.d.konsulli i përgjithshëm Behar Isma, nga Konsullata në Dusseldorf.