Partia Guxo është gati për zgjedhjet e 9 shkurtit, 2025. Kështu ka deklaruar, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka thënë se kjo parti ka çfarë t’i jep vendit në politikën e jashtme dhe sigurisë, në arsim e kulturë, shëndetësi e infrastrukturë, ambient e energji, zhvillim e në bujqësi.
Në takimin qe po ka mbajtur Partia Guxo sot me anëtarë dhe mbështetës, Peci ka renditur të arriturat e kësaj qeverisje përgjatë këtij mandati, derisa ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen në këtë drejtim.
Peci: Në Ministrinë e Bujqësisë, vula e meritokracisë mban frymën e Guxos
“Në Ministrinë e Bujqësisë, vula e meritokracisë mban frymën e Guxos, vula e luftës ndaj krimit e korrupsionit mban ngjyrën e Guxo, fermerët e Kosovës janë përfitues të 300 milion eurove përgjatë qeverisjes tonë, për secilin cent dihet adresa. Ne rikthyem tokën shtetit dhe Republikës. Kemi arritur që për një fermer nga tri javë torturë për një aplikim, kemi mundësuar që të aplikojë për 30 minuta buzëqeshje e falënderim, e për këtë më duhet të falënderoj kryeministrin Albin Kurti që për çdo kërkesë timen ka qëndruar prapa dhe e ka mbështetur”, ka deklaruar Peci.
Ai ka thënë se Partia Guxo është shëmbëlltyra e qeverisjes së mirë, e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Ndërsa ka nënvizuar se për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kanë ide e vizion, duke shtuar se Guxo ka çfarë t’i ofrojë vendit në çdo sektor të saj të rëndësishëm.
Peci: Guxo shëmbëlltyra e qeverisjes së mirë
“Ndryshimi në sektorin e bujqësisë është rrënjësor, nga subvencionimi për grurë, traktori në katin e shtatë, sepse për të numëruar të zeza nuk mjaftojnë as edhe një film i metrazhit të gjatë. Kemi arritur këtë vit që të sigurojmë bukën e motmotit dhe gjitha parametrat janë progresiv në sektorin që drejtoj. Andaj, Guxo është shëmbëlltyra e qeverisjes së mirë, e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kemi ide e vizion, vullnet e gatishmëri e nga kjo perspektivë mund të themi që kemi dhënë edhe dëshmi, që Guxo ka çfarë t’i jep vendit në politikën e jashtme dhe të sigurisë, në arsim e kulturë, shëndetësi e infrastrukturë, ambient e energji, në zhvillim e në bujqësi“, ka përfunduar Peci.
Guxo është parti politike e qendrës së djathtë, e formuar si listë më 5 nëntor 2020 nga Vjosa Osmani si dhe më 14 shkurt 2022, Partia Guxo u regjistrua si parti politike. Partia Guxo në fillet e veta prezantoi kandidatët në listën e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare më 14 shkurt 2021 dhe mori shtatë deputetë, përfshirë Vjosa Osmanin me 300.788 vota.