Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Zgjedhjet e 9 shkurtit, NISMA prezanton kandidatët për deputetë

 
   

NISMA Socialdemokrate ka prezantuar 20 kandidatë për deputetë dhe programin në konventën e saj politike që u mbajt sot.

Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj ka thënë se është koha që Kosova të zgjohet nga kjo përgjumje tash e katër vjet, duke iu referuar punës së qeverisjes së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin kryeministër.

Limaj ka thënë se njerëzit e zgjedhur për garën e 9 shkurtit janë të dëshmuar me punën e tyre për ta drejtuar vendin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Limaj: Zgjimi në Kosovë duhet të ndodhë më 9 shkurt

“Kosova sot bashkë më shumë se kurrë ka nevojë për vepra, të bashkohemi me energji pozitive burra e gra të profesioneve e moshave të ndryshme për ta drejtuar këtë vend. Është koha që Kosova të zgjohet nga një eksperiment. Ta shohim të vërtetën, të zgjohet për t’u larguar nga kjo përgjumje tash e katër vjet. Starti është 9 shkurti, duke ngritur në këmbë e duke fituar me mendje nacionale, për të fituar veç me vepra, me njerëz e vizione të dëshmuara, që kanë qenë të sinqertë me atdheun e tyre”, ka thënë Limaj.

NISMA Socialdemokrate në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është në koalicion me AAK-në, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, ndërsa kandidat për kryeministër është Ramush Haradinaj.

Ky i fundit u shpreh optimist se do të marrin votën e qytetarëve dhe me programin e tyre të përbashkët që e kanë përgatitur me kujdes, do të arrijnë të zgjidhin problemet me të cilat përballet vendi.

Haradinaj: Më 9 shkurt ta marrim udhëheqjen e Kosovës, të kryejmë punët në pritje

“Më 9 shkurt ta marrim udhëheqjen e Kosovës e të kryejmë punët që janë në pritje. Ju sigurojmë, koalicioni ynë bashkë që do ta bëjmë realitet. Programi ynë i përbashkët i ka dhënë përgjigjet për të gjitha shqetësimet e qytetarëve të Kosovës. Ne duam Kosovën anëtare të NATO-s, që të mos guxojë askush të rrezikojë as brenda as jashtë, as jug as veri. Sot qeveria jonë mburret e thotë se po e ruan buxhetin e Kosovës duke mos përfshirë projektet më kapitale e vitale e më të nevojshme për jetën, për ato rrugë që kanë mbetur pa përfunduar”, tha Haradinaj.

Kreu i Listës Konservatore, Abdullah Klinaku ka kritikuar punën e qeverisë aktuale për, siç u shpreh ai, “agjendë të rreptë kundër familjes”.

Klinaku: Familjeve tona u nevojitet mirëqenie e zhvillim ekonomik

“Ka dy vjet që e kemi nuhatur me kohë se kjo qeveri është duke zhvilluar një agjendë të rreptë kundër familjes. Për ta ruajtur familjen tonë të cilën e kemi pasur për shekuj dhe ka ruajtur këto vlera, kemi thënë që familjes sonë i duhet një mirëqenie dhe zhvillim ekonomik. Jemi bashkë që prej familjes e deri te NATO”, ka thënë Klinaku.

Kandidatë për deputetë të NISMA-s për zgjedhjet e 9 shkurtit janë Agim Çaka, Agnesa Hajredini, Arbesha Krasniqi, Besnik Berisha, Burim Ukësmajli, Endrit Shala, Fatmir Matoshi, Gani Barajktari, Isni Kilaj, Jehona Rrafshi, Lelja Gashi, Murtez Zekolli, Sherif Krasniqi, Veli Bytyqi, Venera Bogujevci, Vesel Krasniqi, Kemal Hasani, Xhevahire Izmaku, Zafir Berisha dhe Lavdie Deliu.