Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zgjedhjet e reja parlamentare, Kurti do më shumë vota se në 2021-tën – ky është mesazhi i tij

 
   

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar më shumë vota se në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Këtë qëndrim ai e bëri të ditur gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Përgjithshëm të grave të kësaj partie.

Kurti iu tha të pranishmeve se “rezultati duhet të tejkalohet”.

I pari i këtij subjekti politik theksoi se zgjedhjet parlamentare janë më 9 shkurt dhe kësisoj ka kohë mjaftueshëm për përgatitje.

Postimi i plotë

Nga mbledhja e IV e Këshillit, organit më të lartë të strukturës së GVV-së, me shumë diskutime për më shumë politika që mbështesin gratë e vajzat. Kur gratë ngrihen, e gjithë shoqëria dhe mbarë kombi ngrihet me to. Fjalimi im nga kjo mbledhje:

E nderuara Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Grave për VETËVENDOSJE!, deputete e Kuvendit të Republikës dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha Kollçaku,

E nderuar Kryetare e GVV-së, ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,

Të nderuara ministre, deputete, e drejtuese të GVV-së nëpër Qendrat e Lëvizjes,

Të nderuara delegate të Këshillit të GVV-së,

Të dashura aktiviste e anëtare të Lëvizjes,

Mirë se ju gjej në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Grave për VETËVENDOSJE!. Në Lëvizje e në GVV ka një varg mbledhjesh që janë të rëndësishme dhe këtë e themi secilën herë. Mirëpo mbledhjet e Këshillit janë mbledhje më me rëndësi se të gjitha të tjerat, sepse Këshilli është organi më i lartë i strukturës së GVV-së. Është thelbësore që këto mbledhje t’i përdorim për të diskutuar hapur dhe me dashamirësi, gjithnjë me synimin për të ecur përpara e për t’i shumëfishuar të arriturat tona. Mbajtja e mbledhjeve të rregullta të organeve tona është dëshmi që kemi organizatë vitale dhe i zbatojmë rregullat që i kemi vendosur bashkërisht nëpërmjet statutit e rregulloreve tona të brendshme.

Meqë po mblidhemi në një kohë kur nga zgjedhjet parlamentare na ndajnë më pak se pesë muaj, është e udhës të diskutojmë mbi to, mbi organizimin, nevojat e pritshmëritë. Por, këtë do ta bëjmë pak më vonë. Konsideroj që janë disa çështje të tjera, ndoshta edhe më të rëndësishme.

Andaj po e filloj me barazinë gjinore. Kur flasim për barazi mes njerëzve, parë nga konteksti në të cilin janë ndërtuar shoqëritë, ndonjëherë mund të duket sikur vështirë e arritshme. Por kjo, për bindjen time, besoj edhe tuajën, nuk është aspak e vërtetë. Pabarazia gjinore ka shkaqe strukturore e historike. Kjo lloj pabarazie na është trashëguar e më pas edhe është mirëmbajtur. Ç’është e vërteta e kanë mirëmbajtur burrat kryesisht. E kanë mirëmbajtur sepse u është përshtatur, sepse kështu ka qenë e është më lehtë për ta. Por, gjithnjë e më rëndë për gratë.

Kur gratë kanë sukses, ato janë munduar e përpjekur dyfish më shumë se burrat e shpesh edhe (për)kundër tyre, ndërkaq, kur burrat kanë sukses ata zakonisht janë ndihmuar nga gratë. Pra gratë janë mbështetëset e padukshme të suksesit të burrave. E kundërta rastis fort rrallë.

Burrat, edhe kur janë feministë, nuk diskriminohen sa gratë, sepse ndonëse janë feministë, nuk janë gra. Mirë që janë feministë, por ja që janë burra, dhe shtypjen e shfrytëzimin pakrahasimisht më shumë e kanë parë e dëgjuar sesa që e kanë ndjerë apo përjetuar.

Një ndërhyrje për ta korrektuar pabarazinë gjinore është t’i edukojmë fëmijët në frymën e refuzimit të konstrukteve gjinore që janë të padrejta, të gabuara dhe të dëmshme. Në mënyrë që shoqëria të emancipohet e hapet, nevojitet edukimi për brezat e rinj. Në familje, në çerdhe, në shkolla. Të gjitha këto institucione, edukimin e fëmijëve e të rinjve duhet ta bëjnë mbi bazën e gjithëpërfshirjes, pa ndarje gjinore të punës e të lojës, pa i përfillur normat gjinore të pabarabarta.

Filozofi Terry Eagleton thotë:

“Fëmijët janë teoricienët më të mirë, pasi që ata/o ende nuk janë edukuar të pranojnë rutinën e praktikave tona shoqërore si “të natyrshme” dhe kështu fëmijët insistojnë të pyesin për ato praktika që janë turpërisht më të përgjithshmet e baziket, duke iu referuar atyre me një distancim kureshtar, diçka që ne të rriturit/at e kemi harruar prej kohësh. Meqenëse fëmijët ende nuk i kapërdijnë praktikat tona shoqërore si të pashmangshme, fëmijët nuk e kuptojnë pse ne nuk mund t’i bëjmë gjërat ndryshe.”

Pra, gjërat mund të bëhen ndryshe, mund të bëhen më mirë e më drejtë. Që burrat dhe gratë të mos jenë përballë, por krah njëri-tjetrit.

Të nderuara delegate të pranishme,

Krahas rolit që ka shoqëria në përpjekjen për shoqëri emancipuese, shteti ka përgjegjësi që ta frenoj secilin diskriminim e përjashtim. Roli i shtetit me qeverinë tonë ka qenë dhe është aktiv në mbrojtjen e grave. Kësisoj kemi vendosur rëndësi tek ato që padrejtësisht konsiderohen më të parëndësishme.

Qeveria ka përgjegjësi që të ndërtoj politika afirmative për qytetarët, e sidomos për gratë. Ne kemi marr udhëheqjen e qeverisë me këtë bindje, ne jemi votuar nga gratë për shkak që përfaqësojmë këtë bindje. E tash qeveria dhe gratë e vajzat së bashku duhet ta mbajmë fokusin veçanërisht tek ato gra që janë më të varfra si dhe te gratë e pakicave etnike, fetare etj. Gratë nuk duhet të diskutojnë e të kenë pjesëmarrje e vendimmarrje vetëm për çështje gjinore, por për çdo çështje (politike dhe ekonomike, sociale dhe kulturore). Gratë për çdo çështje, dhe asnjë çështje pa gratë. Çdo temë të trajtohet edhe nga gratë, në çdo temë të trajtohet pabarazia gjinore.

Të ndërgjegjshëm për këtë, kemi ndërtuar politika që kanë mbështetur gratë dhe vajzat. Qeverisja e VETËVENDOSJE!-s, ka ndërmarr vendime e veprime që nuk janë bërë nga asnjë qeveri para nesh:

– Për herë të parë para tri viteve prezantuam shtesat për fëmijë (për 410 mijë fëmijë) dhe për lehona (për 60 mijë nëna të reja);

– Për herë të parë kaq shumë bursa për vajzat dhe për herë të parë kaq shumë gra të punësuara.

Janë bërë shumë punë, vijojmë të bëjmë edhe më shumë punë.

Rritja ekonomike, stabiliteti institucional dhe progresi shoqëror nga këto tri vite e gjysmë janë të pashembullta më parë, madje, jo vetëm te ne. Kur kemi parasysh faktin që në këto tri vite e gjysmë i patëm edhe kërcënimet më të mëdha të sigurisë për vendin tonë në këtë shekull, e arritëm të dalim fitimtarë, bëhet e qartë sa i jashtëzakonshëm është avancimi i shtetit tonë.

Për herë të parë në Kosovën e pavarur kemi një qeveri që po e çon mandatin deri në fund. Kjo është qeverisja jonë, qeverisja e VETËVENDOSJE!-s. Jemi votuar aq masivisht në shkurtin 2021, sa nuk ka arritur askush asnjëherë më parë një rezultat aq të thellë e të lartë, sa me të drejtë e kemi quajtur asokohe: referendum!

Tani për të dalë te zgjedhjet që kemi përpara: nuk kemi pasur asnjëherë më shumë kohë për t’u përgatitur për zgjedhje se sa tani. Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani. Andaj edhe rezultati i shkurtit 2021, duhet të përsëritet, e të tejkalohet.

Më 9 shkurt do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Kur vjen puna te Parlamenti e Qeveria, lirisht mund të krenohemi me përparimin që Kosova ka pasur. Kosova ka presidente grua, dy zëvendëskryeministre gra, pesë ministre gra dhe 40% të deputetëve të Grupit Parlamentar të LVV janë gra, e që u zgjodhën pa kuotë, secila prej tyre!

Feminizmin që përfaqëson GVV-ja, artikulimi dhe kauzat që kanë ngritur ndër vite aktivistet politike të Lëvizjes, janë socialdemokrate.

E megjithëkëto, nuk mjafton të kërkojmë më shumë gra në parlament apo më shumë gra ministre, nëse nuk ngulmojmë njëkohësisht për më shumë politika që mbështesin të gjitha gratë.

Gratë në pushtet, që nuk i mbështesin gratë e tjera, më vjen keq ta them, por nuk janë të angazhuara për barazi të vërtetë. Nëse ato e pranojnë strukturën aktuale të shoqërisë pa vënë në pyetje padrejtësitë e saj, atëherë, siç thotë filozofja Simone de Beauvoir: “ato nuk luftojnë për t’i dhënë fund pabarazisë, por për të qenë në krye të saj.”

Por, ta bëjmë të qartë – problemi nuk qëndron te gratë në pushtet si individë. Nuk është fjala për të hedhur fajin mbi njëra-tjetrën. Përkundrazi, është një thirrje për të shtuar vatrat e solidaritetit gjinor. Është një thirrje për bashkëpunim, për t’u mbështetur te njëra- tjetra kur konkurrenca ashpërsohet, sidomos në kohë zgjedhjesh. Për të qenë bashkë në një front të fortë solidariteti për të sjellë barazinë për të gjithë. Kushti i konkurrencës konstruktive është bashkëpunimi përmbajtësor. Kur gratë solidarizohen, fitojmë që të gjithë. Aktivizmi i grave shqiptare e dyfishon shoqërinë dhe kombin tonë. Kur grate ngrihen, e gjithë shoqëria dhe mbarë kombi ngrihet me to.

Ju falemnderit e punë të mbarë.