Kryeministri Albin Kurti pritet t’i ftojë qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës që në zgjedhjet lokale të 2 qershorit t’i votojnë kandidatët e PVD-së për kryetar të Preshevës dhe Bujanocit, Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafin.
Sipas analistëve animi ndaj vetëm një subjekti apo koalicion subjektesh duke përjashtuar të tjerët që janë përfaqësues të drejtpërdrejtë të shqiptarëve të Luginës, është e dëmshme dhe antikombëtare.
Ata thonë se duke mbështetur vetëm një subjekt dhe duke anashkaluar të tjerët, po i dobëson interesat shqiptare në Luginë.
Analisti nga Instituti për Politika Sociale, Belgëzim Kamberi ka thënë për KosovaPress-in se do të duhej të ishin dy arsye kryesore pse është përfshirë kryeministri Kurti.
Sipas tij, njëra nga arsyet është për ta përhapur konceptin e partisë së tij Lëvizjes Vetëvendosje edhe hapësira të tjera në Ballkan, apo për ta përforcuar pozitën e tij në Kosovë, duke thënë se nuk e kontrollon vetëm politikën vendore, por që Albin Kurti të duket se është adresa e vetme kur flitet edhe për shqiptarët në Ballkan.
Kamberi: Kurti po përhap konceptin e VV edhe në hapësira tjera në Ballkan
“Kjo është vazhdimësi e ndërhyrjeve apo përfshirjes të kryeministrit Kurti në politikat shqiptare duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, tash edhe Luginën e Preshevës dhe këtu do të duhet të parashtrohet pyetja kryesisht kryeministrit, se cila është arsyeja e përfshirjes së tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse ndërhyrje ka pasur gjithmonë… Kjo është ndërhyrje më direkte sepse Kurti ka një metodologji që ai përzgjedh të preferuarit e tij dhe do të duhej të pyetet ai, në parim do të duhej të ishin dy arsye kryesore pse përfshihet. Njëra është që e bën këtë për ta përhapur konceptin e LVV-së edhe në hapësira të tjera në Ballkan, apo e bën për ta përforcuar realisht pozitën e tij në Prishtinë si qytetar dhe politikan, duke thënë se nuk e kontrollon dhe nuk ndikon vetëm në politikën e Kosovës, por ‘unë jam adresa kur flitet për shqiptarët në Ballkan’, veçanërisht për shqiptarë në ish-Jugosllavi’ dhe këto do të duheshin të shihet se cilat janë arsyet… Edhe në Luginë të Preshevës të dielën, faktikisht mund që temë e vetme e zgjedhjeve të jetë se a po fitojnë kandidatët e preferuar nga kryeministri Kurti dhe pothuajse kësi lloji janë duke rrëshqitur edhe fushatat parazgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc”, ka thënë Kamberi.
Historiani dhe profesori nga Presheva Nuri Behxheti ka thënë përmes telefonit për KosovaPress se Kurti synon të krijojë aleatë, të cilët janë të afërt vetëm me partinë që ai drejton.
Ai thotë se mundësia e vetme për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve përballë një Serbie agresive është bashkimi shqiptarëve në një listë të përbashkët në Luginën e Preshevës.
Behxheti: Kurti kërkon aleatë që janë të afërt vetëm me LVV-në
“Interesimi i Kosovës, rasti konkret i Qeverisë që po interesohet për shqiptarët e Luginës, në parim është normale, por animi vetëm për një subjekt apo për koalicion subjektesh duke përjashtuar të tjerët që janë përfaqësues të drejtpërdrejtë të shqiptarëve të Luginës, është e dëmshme dhe antikombëtare. Duke mbështetur vetëm një subjekt dhe duke anashkaluar të tjerët, e dobëson fuqinë e përfaqësimit real të shqiptarëve në Luginë. E vetmja mundësi për të përfaqësuar interesat e drejtpërdrejta dhe reale të shqiptarëve, përballë një Serbie tepër agresive dhe jo korrekte me pakica të tjera, është nëse të gjithë shqiptarët bëhen bashkë në një listë, kuptohet duke ruajtur subjektivin e tyre politik, por duke garuar në një listë të përbashkët… Kurti ka pasur anim edhe më herët, edhe në Shqipëri që rezultoi një mossukses, Kurti u involvua shumë në Maqedoni, që prodhoi një koalicion joparimor, që sipas meje është dëmi më i madh që ka shkaktuar shqiptarëve në Maqedoni, dhe në këtë ndërhyrjen e dytë në Preshevë ai përveç që e vazhdon konceptin e tij me një anim të simpatisë të animit partiakë. Platforma e tij është LVV të ketë aleatët të cilët janë të përafërt vetëm me LVV-në, pra duhet të dallojë interesin e përgjithshëm shqiptar përtej atyre partiake që ai nuk e bën”, ka shtuar Behxheti.
Ndërhyrja e Kurtit në Luginën e Preshevës është komentuar edhe nga sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sipas së cilës kryeministri Albin Kurti po e vazhdon vallen e përçarjes së shqiptarëve në Ballkan.
Kryeministri Albin Kurti sonte në një tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës,do të mbështesë kandidaten për kryetare të Preshevës Ardita Sinani, kandidatin për kryetar të Bujanocit Ragmi Mustafi, të cilët do të jenë në tubim së bashku me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi.
Ndryshe, Kurti ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, ku ka përkrahur koalicionin VLEN.