Ishin paralajmëruar të mbaheshin pas verës, por “fati” i zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës vazhdojnë të jetë i paqartë.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit ka ndikuar që zgjedhjet të dalin në “plan” tjetër, kurse tani kryetarët e tanishëm po mbështeten për përfundimin e mandatit të tyre katërvjeçar.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë të mërkurën se ende nuk ka ndonjë informacion se qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit kanë filluar t’i mbledhin nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve të komunave të tyre përkatëse përmes peticionit.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë të mërkurën, Krasniqi, megjithatë i mbështeti kryetarët e tanishëm ta përfundojnë mandatin e tyre katërvjeçar.
“Çka është me rëndësi është se kryetarët po vazhdojnë të punojnë dhe si Qeveri jemi në mbështetje të vazhdueshme të kryetarëve që ata ta përmbushin mandatin e tyre si kryetar”, u shpreh Krasniqi.
Riorganizimi i zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës është një nga kushtet e BE-së për t’i larguar masat ndëshkuese, ndërsa analistët politikë thonë se ata nuk do t’i largojnë masat sapo përmbushet ky kusht dhe se asociacioni ka filluar të jetë kërkesë kryesore.
Xani: Fillimisht heqja e masave
Analisti politik Visar Xani
Analisti politik Visar Xani, thotë se çështja e zgjedhjeve në veri të Kosovës nuk është aktuale, kjo pasi asociacioni është kërkesë kryesore.
“Çështja e zgjedhjeve në veri të Kosovës nuk po duket edhe shumë aktuale për momentin për shkak se kemi parë edhe deklaratat që vijnë qoftë nga lehtësuesit, qoftë nga personat e tjerë të përfshirë në diplomaci, kërkesa kryesore është zbatimi i asociacionit dhe nuk përmendet më çështja e zgjedhjeve në veriun e Kosovës. Pra, ka një pajtueshmëri që hapat janë të ndërlidhura me njëra- tjetrën edhe për heqjen e masave është kusht zbatimi i asociacionit dhe ky kusht është përmendur edhe nga ndërmjetësuesit që me qëllim pastaj të hapen rrugët për zgjedhje dhe heqjen e masave”, deklaron Xani.
Ai nuk përjashton përpjekje diplomatike, por sipas tij, nuk do të ketë presion shumë të madh për të organizuar zgjedhje.
Sipas tij, duhet një marrëveshje që i hap rrugë largimit të masave, zgjedhjeve në veri dhe përmbylljen e kapitullit për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Deri atëherë sigurisht që do të ketë përpjekje diplomatike, por nuk do të ketë ndonjë presion shumë të madh për të organizuar zgjedhje, nëse do të kishte një pajtueshmëri politike dhe një marrëveshje nuk do të ishte shumë problem edhe çështja e peticionit edhe çështjet e tjera. Këto procedurat e zbatimit me vullnet politik sigurisht që do të realizohen, por deri atëherë duhet të ketë një marrëveshje dhe që ajo marrëveshje hap rrugë për heqjen e masave, për zgjedhjet në veri dhe në një mënyrë e përmbyll kapitullin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit”, shprehet analisti.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë tani, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.
Pasi Kosova u përball me masa ndëshkuese nga BE, ajo u zotua për ri-organizimin e zgjedhjeve dhe këtë dëshiron ta bëjë vetëm përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni. Peticioni duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e trupit votues në komunën e caktuar, që më pas të mund të shtyhet përpara. Nëse plotësohen të gjitha hapat e kërkuar me udhëzimin administrativ, – i cili u publikua në shtator – atëherë mbahet votimi për largimin e kryetarit të komunës.
Për largimin e kryetarit kërkohen 50 për qind +1 votë e qytetarëve në listën e votuesve.
Zogaj: Të kalohet ngërçi
Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj, thotë se nënshkrimet dhe peticioni kanë qenë një opsion, por jo i vërteti.
Analisti politik Skënder Zogaj
Sipas tij, dorëheqja e kryetarëve është mënyra më e mirë, më e lehtë, më e shpejtë.
“Çështja e krijimit të kushteve për zgjedhjet e reja në Veri, sa i përket kryetarëve të tashëm, nuk është kurrfarë problemi, sepse, janë një varg mundësish për t’i hequr, por, kjo varet nga çasti që i konvenon Kosovës, pra që deri tash është përfolur por jo për t’u gjetur zgjidhja! Nënshkrimet dhe peticioni kanë qenë një opsion, jo i vërteti, sepse nuk mundësi të arrihet. Dorëheqja e kryetarëve është mënyra më e mirë, më e lehtë, më e shpejtë”, pohon Zogaj.
Sipas tij, BE do të ketë hezitime të reja edhe kur përmbushen zgjedhjet.
Ai shton se masat vihet shpejt, por largohen ngadalë.
“Ndërsa sa i përket zgjedhjeve janë një kusht i BE-s që duhet të përmbushet, por përmbushja nuk i heq masat ndëshkuese menjëherë. Do të ketë kajde sepse , do të ketë hezitime të reja, përderisa të mos sigurohet një shkallë e re e suksesit të dialogut dhe e ecje konkrete në zbatimin e marrëveshjeve të tjera të nënshkruara e të parealizuara deri më tani. Masat vihen shpejt por largohen ngadalë dhe me shumë naze. Por, sidoqoftë, tash për tash më e rëndësishmja është të kalohet ky ngërçi që i konvenon Serbisë, por jo Kosovës!”, përfundon Zogaj.