Këtë të diele, me 2 qershor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovën Lindor, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në kuadër të këtyre zgjedhjeve, së fundi me sloganin “Me mendje dhe zemër” në Prishtinë u mbajt një tubim mbështetës, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në këtë tubim u theksua nevoja për të mbështetur Kosovën Lindore për t’i tejkaluar pabarazitë që po i bëhen nga shteti serb.
Kurti ka thënë se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa i përket deklaratave të ndryshme se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai ka thënë se “shkon aty ku e thërrasin”.
“Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, bart një trashëgimi të pasur kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të ndjeshme, kemi parë shumë sfida qe ka kaluar Lugina, diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në dokumente janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët. Qeveria ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale e ekonomike. Kemi investuar dhe do të vijojnë të investojnë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje. Tani me zgjedhjet qe po afrohen në Luginë kemi mundësi unike për të çuar përpara këtë bashkëpunim. Qeveria do të jetë gjithmonë krah tyre duke mbështetur zhvillimin në çdo hap. Më kanë thënë se nuk bënë të marrin pjesë vetëm dy kandidatë, por unë shkoj aty ku më thërrasin”, tha Kurti.
Pjesëmarrja e Kurtit në këtë tubim të Partisë për Veprim Demokratik, që u mbajt në Prishtinë, në përgjithësi u mirëprit, por kishte edhe nga ata që e kritikuan dhe e cilësuan si ndërhyrje të tij në zgjedhjet në Kosovën Lindor.
Elezaj: Modeli i ndërhyrjes së kryeministrit Kurti në “punët e brendshme” të shqiptarëve të mbetur jashtë Kosovës
Rexhep Elezaj
Për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj, i cili tha se mbështetja e Kurtit ndaj Sinanit e Mustafit në aspektin kombëtar është e mirëseradhur dhe shumë e nevojshme.
“Mbështetja e hapur e kryeministrit Kurti ndaj dy kandidatëve shqiptarë që do garojnë për kryetar komune në Bujanoc dhe Preshevë me 2 qershor, Ragmi Mustafa dhe Ardita Sinani, mendoj se në aspektin kombëtar do të ishte e nevojshme dhe e mirëseardhur, kur merren parasysh shkaqet e padrejta historike, posaçërisht politika hegjemoniste dhe pushtuese e Serbisë ndaj tokave autoktone shqiptare në Ballkan, kur me 1878 do ndodhë dëbimi masiv i mbi 600 mijë shqiptarëve nga trojet e tyre në Toplicë, Vranjë, Leskovc, etj. Pra, kur ato territore shqiptare mbeten me dhunë nën ish Jugosllavi edhe në vitin 1945, ku pas zhbërjes së saj në vitin 1991, Lugina e Preshevës, gjegjësisht Medvegja, Bujanoci dhe Presheva do mbesin në Serbinë fashiste, regjimi i të cilës edhe sot po vazhdon të ushtrojë dhunë dhe diskriminim shtetëror ndaj 100 mijë shqiptarëve autokton në tokat e tyre shekullore”, deklaroi opinionisti.
Ndërsa, Elezaj tha se ka frikë se në aspektin politik kjo ndërhyrje e Kurtit mund të ndikojë negativisht në spektrin politik të Kosovës Lindor.
“Ndërsa, në aspektin politik, mendoj se ndërhyrja dhe mbështetja e hapur e kryeministrit Kurti, vetëm ndaj dy kandidatëve të dy partive politike në Luginë, siç treguan zgjedhjet e fundit në Maqedoni, mbështetja dhe implikimi i z. Kurti në ato zgjedhje, doli të jetë kundër-produktive, madje edhe e dëmshme për spektrin politik shqiptar në Maqedoni. Kam frikë, se kështu do ndodhë edhe me spektrin politik shqiptar në Luginën e Preshevës, ngase shteti amë, siç është Kosova për shqiptarët e Luginës së Preshevës, në asnjë rrethanë politike, nuk duhet të mbajë krah ose anë ndaj asnjë partie politike atje, duke e futur frymën e ndasive mes tyre, dhe ç’ është më keq, duke e dobësuar faktorin politik shqiptar në Luginë, që në zgjedhjet e 2 qershorit të garon si një forcë unike politike, si dhe me kandidatë që nuk janë të favorizuar as nga Prishtina, dhe as nga Tirana, veçse me forcat e tyre vetanake t’i fitojnë zgjedhjet në tri komunat në fjalë”.
Ndër të tjera, opinionisti u shpreh se ndërhyrja e Kurtit duke anashkaluar figura dhe kandidatë të partive tjera shqiptare në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, nuk do t’i kontribuojë unifikimit të faktorit politik shqiptar.
“Mendoj, se mënyra e ndërhyrjes së z. A. Kurti në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, në Maqedoni dhe tani në Luginën e Preshevës, me forma dhe taktika patronazhiste, për të mos thënë, polltroniste, duke shkaktuar ndarje në dy ose tri taborë mes subjekteve politike atje, në asnjë variant të mundshëm, nuk e ndihmon forcimin koheziv dhe nacional të shqiptarëve të mbetur pa dëshirën e tyre nën regjime të huaja serbo-sllavo-maqedonase, dhe atë në dëm të kauzës gjithë-shqiptare në Ballkan, e ajo është bashkimi i tyre në një shtet të vetëm dhe unik shqiptar në Ballkan.
Madje, mendoj se modeli i ndërhyrjes së kryeministrit Kurti në “punët e brendshme” të shqiptarëve të mbetur jashtë Kosovës, si në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, duke përkrahur dhe favorizuar vetëm dy kandidatë që po garojnë për kryetarë të komunës së Bujanocit dhe Preshevës, mbase duke anashkaluar figura dhe kandidatë të partive tjera shqiptare në Luginë, nuk do t’i kontribuojë forcimit dhe unifikimit të faktorit politik shqiptar në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Përkundrazi”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.
Qarri: Kurti është shpresa dhe mundësia e vetme që shqiptarët e Kosovës Lindor, përsëri të bashkohen dhe t’i zgjedhin vet kryetarët e komunave të tyre
Gani Qarri
Kurse, analisti tjetër politik, Gani Qarri tha se kryeministri Kurti që nga ardhja në pushtet ka pensionuar disa figura të dyshimta politike.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” mbështeti qëndrimin e kryeministrit për t’i përkrahur Ardita Sinanin e Ragmi Mustafin në zgjedhjet e 2 qershorit.
“Në fakt, kryeministri Albin Kurti, nga ardhja në krye të Qeverisë së Kosovës, me politikat e tij largpamëse, ka pensionuar disa figura të dyshimta politike dhe krejt të pafrikshme partiake, madje ndoshta edhe të rrezikshme, për ne si popull dhe çështjen tonë kombëtare, të ndarë në disa shtete, dhe të sunduar gjatë, nga regjime të huaja, që në disa pjesë autoktone të etnisë tonë edhe sot vazhdon.
Kurse sa i takon Partisë për Veprim Demokratik e cila vepron në Kosovën Lindore si dhe qytete e fshatra me shumicë shqiptare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku gravitojnë edhe kandidatët për kryetar të komunave Preshevë e Bujanoc, Ardita Sinani e Ragmi Mustafi, kjo parti përfaqëson shqiptarët në mënyrën më të denjë edhe në Kuvendin e Serbisë me deputetin e shquar kombëtar Shaip Kamberi.
Dhe duke qenë se, kjo pjesë e truallit tonë kombëtar, ka ngelur nën Serbi, shqiptarët atje, nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse të mbështeten në Prishtinën zyrtare dhe Republikën e Kosovës, ndihma e të cilës është mëse jetike dhe e pazëvendësueshme, për mbijetesën e tyre, në trojet e veta autoktone, përndryshe ata do të detyrohen, t’i nënshtrohen tendencës së Serbisë hegjemoniste, e cila ka kohë që ndjek me këmbëngulje politikën e shuarjes së ekzistencës së elementit shqiptar dhe çrrënjosjen e tërësishme të çështjes së tyre, në këto troje”, deklaroi analisti.
Sipas tij, ishte shumë e natyrshme pjesëmarrja e Kurtit në tubimin e 29 majit, derisa tha se kryeministri ynë është shpresa e vetme që shqiptarët të bashkohen.
“Kështu që ishte plotësisht e natyrshme që me 29 maj, Kryeministri Kurti mori pjesë edhe në takimin me këshilltarët e Qeverisë së tij, nga Kosova Lindore, të cilët në zgjedhjet e 2 qershorit, do të garojnë për kryetar të dy komunave Preshevë e Bujanoc të banuara me shumicë shqiptare, angazhim ky që, përsëri ngjalli reagime dashakëqija, jo vetëm nga autoritetet serbe, që disi do të ishin të pritshme, por më tepër nga opozita e inkriminuar shqipfolëse, duke e cilësuar edhe një takim të thjeshtë, si ky me këshilltarët e Qeverisë, si përpjekje për shtrirje të ndikimit te shqiptarët në rajon, madje dikush nuk ngurroi ta quaj edhe tendencë për “përçarje”?!
Përçarje të kujt, ata i përçau Serbia, me katapultimin e Shqiprim Arifit, nga baushtellet e Gjermanisë, në krye të komunës së Preshevës!
Kryeministri i Kosovës, është shpresa dhe mundësia e vetme, që shqiptarët atje, përsëri të bashkohen dhe t’i zgjedhin vet kryetarët e komunave të tyre, duke filluar nga Presheva si kryeqendra e shqiptarëve në Kosovën Lindore, kandidatë të cilët vërtet mendojnë shqip dhe punojnë për shqiptarët”.
Në vazhdim, Qarri e cilësoi si të natyrshëm faktin që Kurti nuk do mbështesë Shqiprim Arifin, i cili i doli kundër Shaip Kamberit.
“Në anën tjetër Kryeministri i Republikës së Kosovës nuk mund të përkrah, takoj, mbështes as ti favorizojë njerëzit e preferuar të Vuçiqit, si bie fjala Shqiperim Arifin, që jo fort moti doli edhe kundër deputetit kombëtar Shaip Kamberi, ku humbi me turp, në përballje me te, i cili është dhe mbetet edhe kundër të gjithë konkurrentëve shqiptar, që nuk i nënshtrohen Serbisë dhe nuk pranojnë të bëhen vegla të Aleksandër Vuçiqit, andaj Kryeministri i Kosovës e ka për obligim, dhe është i detyruar zyrtarisht, moralisht dhe kombëtarisht, t`u bëjë thirrje publike votuesve shqiptar në Preshevë e Bujanoc që t’i mbështesin Ardita Sinanin për kryetare të Preshevës dhe Ragmi Mustafin për kryetar të Bujanocit, kandidatët të dëshmuar, të mbrojtjes së bashkëkombësve dhe çështjes shqiptare në Kosovën Lindore”, vlerësoi Qarri.
Më tej, analisti tha se mbështetja e Kurtit për Sinanin e Mustafin është e një rëndësie të pazëvendësueshme, për shqiptarët që jetojnë tërësisht të diskriminuar në Kosovën Lindore.
“Përndryshe siç sqaroi edhe vet kryeministri Kurti, ai mund të marrë pjesë vetëm në takimet dhe tubimet, që atë e ftojnë, të jetë i pranishëm, siç veproi në takimin me Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafin, ngase në tubimet të cilat mbahen në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, nga “Arifët” & Co, nuk i lejohet nga Serbia, të marrë pjesë, kështu që, nuk ka vend, as arsye të kritikohet mbështetja e kryeministrit Kurti për dy këshilltarët e Qeverisë së tij, që do të garojnë në zgjedhjet lokale, për kryetar të komunave me shumicë shqiptare, Ardita Sinani këshilltare politike e Kurtit, për kryetare të Komunës së Preshevës, ndërsa Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, për kryetar të Bujanocit, në Kosovën Lindore.
Për aq më tepër, përkundër kritikave të pakuptueshme nga opozita e inkriminuar dhe kundërshtarët e dyshimtë të kryeministrit, të cilët nuk e kritikuan kurrë Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin, jo për mbështetjen e minoritarëve serb, por as për ndërhyrjet e vazhdueshme në çështjet e brendshme të Kosovës, përkrahja e kryeministrit dhe mbështetja sa më e fuqishme shtetit të Kosovës, për dy kandidatët Sinani e Mustafi, që të dalin fitues të këtyre zgjedhjeve, si dhe për të gjithë bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore, është me rëndësi të pazëvendësueshme, për shqiptarët që jetojnë tërësisht të diskriminuar në Kosovën Lindore!” – përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.