Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zgjedhjet në Maqedoni, ky është numri i qytetarëve që kanë votuar deri në 13:00

Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut deri në orën 13:00 kanë votuar 229 mijë e 803 votues apo 26.35 për qind e qytetarëve, ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Në konferencën e radhës, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor po shkon në rregull, përkundër disa ngecjeve të vogla teknike.

“Me disa ngecje të vogla procesi zgjedhor po shkon në rregull. Sa i përket jehonës së votuesve në deri në ora 13:00, nga gjithsej 3480 vendvotime, gjithsej të dhëna kemi për 1720 vendvotime, apo në përqindje 49.03. Votues në këto 1720 vendvotime gjithsej janë të regjistruar 872 mijë 90 votues, nga këto kanë votuar 229 mijë e 803 votues, apo në përqindje 26.35 për qind. Sa i përket pjesës se ku kemi jehonë më të madhe të votuesve është në Novac 42,87 për qind, ndërsa më e ulët në Vrapçishtë 10.18 për qind”, tha ai.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin në raundin e parë për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 1.814.317.

VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska-Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”./kp