Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, voton Osmani: Besoj në fitore të madhe

Kandidati i Frontit Evropian për president, Bujar Osmani, pasi ka votuar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, ka thënë se beson në fitore të madhe të tyre.

Kandidati për president i koalicionit që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kërkoi zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

“Uroj zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët që të dalin në numër sa më të madh. Të votojnë sipas bindjes së tyre, sipas vullnetit të tyre për një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Unë mendoj se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë, pasi shteti është në udhëkryq, dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin njërin prej këtyre opsioneve, integrimin apo izolimin…Besoj në fitore të madhe të Fronit për Evropë në këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e shtetit”, tha ai.

Sipas Komisionit Shtetërore të Zgjedhjeve (KShZ) në Maqedoninë e Veriut deri në orën 9:00 kanë votuar 3.85 për qind e qytetarëve për zgjedhjet presidenciale.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Kandidati tjetër shqiptar për president është Arben Tararavari nga koalicioni VLEN, i cili përbëhet nga parti opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut./KP