Në Maqedoninë e Veriut nesër, më 8 maj mbahen dy palë zgjedhje raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare.
Ato do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të arrijë të sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri. E analisti politik, Besim Nebiu beson se nuk ka sondazh e as anketë më të mirë se rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve që u mbajtën dy javë më parë.
Pritshmëritë e Nebiut janë që nesër mos të ketë shumë shpërputhje të madhe në kuptim të numrave dhe të votave, krahasuar me raundin e parë.
“Besoj se nuk ka sondazh, nuk ka anketë më të mirë se rezultati i raundit të parë i zgjedhjeve presidenciale, po ai ndodhi vetëm dy javë para zgjedhjeve parlamentare. Të gjithë e dimë se zgjedhjet parlamentare janë më të rëndësishme për shkak se Maqedonia është shtet i demokracisë parlamentare. Dhe kam pritshmëri që rezultati nesër mos të ketë shumë shpërputhje të madhe në kuptim të numrave dhe të votave dhe parlamenti i ardhshëm të jetë një pasqyrim shumë i përafërt me renditjen e votave të cilat i pamë para dy jave”, tha ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 qeveritë janë formuar nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.
Bashkimi Demokratik për Integrim, ka qenë pjesë e Qeverisë, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.
Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur Qeveria u formua nga LSDM-ja, edhe pse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas.
Ajo arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski.