Akti i agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator ka ndryshuar rrjedhën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore.
Edhe pse janë bërë mbi një muaj nga hartimi i udhëzimit administrativ nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që mundëson përmes peticionit largimin e kryetarëve aktual ende s’ka nisur asnjë iniciativë nga serbët lokal për një gjë të tillë.
Në MAPL thonë se obligimet ligjore i kanë përmbushur dhe se tani mbetet në vullnetin e qytetarëve për të nisur hapat tutje, derisa theksojnë se dikasteri i tyre nuk vendos për shkarkimin apo vazhdimin e punës së kryetarëve aktual.
Në anën tjetër, në partinë opozitare AAK kërkojnë nga Qeveria se pas sulmit terrorist në Banjskë, të koordinohet me aleatët ndërkombëtar për çfarëdo veprimi që mund të ndërmarrin për zgjedhjet në veri. Mirëpo, njohësit e proceseve zgjedhore thonë se s’ka rrethana për organizim të zgjedhjeve në veri pas aktit të agresionit serb ndaj Kosovës.
“Në bazë të informatave nuk ka ende ndonjë peticion. MAPL nuk vendos për vazhdimin e mandatit të kryetarëve apo largimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për KosovaPress nga MAPL.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se institucionet duhet të jenë më të kujdesshme në veprimet e tyre për zgjedhjet në veri dhe të kenë bashkërendim me aleatët.
Sipas saj, sulmi terrorist në veri ka bërë që të cenohet siguria kombëtare dhe sovraniteti i vendit.
“Është detyrë eksplicite e qeverisë që duhet të merret me këtë çështje. Ajo çka kërkojmë është bashkërendim me aleatët tanë. Kosova se ka luksin të marrë iniciativa ose të bëjë veprime të cilat nuk janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur shtetin e Kosovës”, thekson ajo.
Njohës i proceseve zgjedhore, njëherësh profesor universitar, Mazllum Baraliu thotë se kryetarët aktual në veri duhet të vazhdojnë punën e tyre, pasi pas aktit terrorist serb më 24 shtator s’vjen në shprehje organizimi i zgjedhjeve të reja.
Ai sugjeron ekzekutivin të merret me hetimet për sulmin terrorist në veri dhe derisa të bëhet ekstradimi i sulmueseve dhe sanksionimi i Serbisë të mos shpallen zgjedhjet e reja në veri.
“Pas ngjarjeve të 24 shtatorit, mendoj se nuk vjen shprehje asgjë. Po ashtu nuk shihet se ka ndonjë lëvizje atje për gatishmërinë e qytetarëve(për peticion), pasi ata janë frikësuar dhe traumatizuar. Ajo çka ka ndodhur është një agresion shtetëror ushtarak i Serbisë dhe nuk mendoj se do të ketë reagime. Institucionet tona duhet të merren me punë të tjera. Të kërkohet në radhë të parë që të zhvillohen të gjitha hetimet dhe për t’u zhvilluar ato duhet të bëhet ekstradimi i të gjithë atyre që janë me dhjetëra apo qindra që kanë ikur në Serbi.
Të zhvillohen hetimet në plotni, të dal në pah edhe pse është e qartë tashmë përgjegjësia e shtetit të Serbisë në organizimin e saj. Të ndërmerren sanksione ndaj Serbisë të hiqen sanksionet ndaj Kosovës dhe pastaj eventualisht të mbahen zgjedhjet. Përndryshe nuk mund të ketë premtime, kërkesa për oferta apo kushtëzime ndaj Kosovës dhe të ndodhin gjithë këto ngjarje që janë kthim prapa”, thekson Baraliu.
Në bazë të një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian në Bratisllavë, Kosova ka treguar gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në verim: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kryetarët aktual në katër komunat veriore kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.
Ndërkaq, më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues.
Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.
Në Bashkimin Evropian kanë thënë se do të presin hetimin e plotë përpara se të marrin ndonjë vendim për sulmin në Banjskë.