Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër një personi për përfshirje në zhdukjen e Hafir Shalës, mjekut të UÇK-së.
I pandehuri është një person me inicialet S.F., ka bërë të ditur Prokuroria në një njoftim për media.
Ngjarja për të cilën akuzohet S.F. ka ndodhur në prill të vitit 1998.
“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri S.F. në cilësinë e personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10.04.1998, derisa viktima H.Sh, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H.S dhe Sh.H, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës, të njëjtit janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri S.F”, thuhet në komunikatë.
“[…] në atë mënyrë që pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i pandehuri S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S.F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë”, vijon komunikata.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’.