Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Kështu ka ndodhur së fundmi në Gjilan, ku familjarët e një 43-vjeçari e alarmuan Policinë pasi i njëjti u largua nga shtëpia dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij.
Zhdukja e gjilanasit çoi në këmbë Policinë në Kosovë dhe Shqipëri, pasi vetura e tij dyshohej se ndodhej në kryeqytetin shqiptar.
Mësohet se pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshëm dhe bashkëpunimit mes autoriteteve në Kosovë dhe në Shqipëri, 43-vjeçari u gjet në qendër të Tiranës.
Sipas informacioneve të para, ai u gjet në automjet dhe gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë.
Pasi është kthyer në Kosovë, i njëjti ka deklaruar se nuk është keqpërdorur nga askush, por vetëm është larguar për të shëtitur si pasojë e gjendjes së rënduar emocionale.
Lidhur me rastin, për të gjitha detajet është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.