Një zjarr i madh përfshiu një servis të veturave në fshatin Gllogjan të Deçanit.
Nga zjarri që u shkaktua si pasojë e rrymës, u dogjën 48 vetura dhe një traktor.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, pronari i servisit të veturave, Haradin Zeqiraj.
“48 vetura janë djegur dhe një traktor, shkaku i rrymës. Rasti ka ndodhur rreth orës 12:29 të shtunën. Ka filluar zjarri dhe për 10-15 minuta ka përfshirë çdo gjë”, tha Zeqiraj.
Ai shtoi se përveç veturave është djegur magazina e po ashtu edhe një pjesë e shtëpisë.
“Veturat kanë qenë të parkuara jashtë, është djegur e gjithë magazina që ka pasur edhe pjesë të veturave, dhe shtëpia është dëmtuar nga tymi dhe një pjesë e saj është djegur gjithashtu”, u shpreh Zeqriaj.
Haradin Zeqiraj më tej shtoi se dëmi i shkaktuar mund të jetë mbi 200 mijë euro, ndërkaq tregoi se nuk ka pasur të lënduar në njerëz.
Njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, teksa me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar si “Zjarrvënie”.
Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Dje rreth orë 12:40, Policia është njoftuar nga një qytetar se ne fshatin Gllogjan- Deçan janë duke u djegur disa vetura. Policia menjëherë kanë dal në vendngjarje, gjithashtu edhe zjarrfikësit dhe është bërë lokalizimi i zjarrit, rasti mbetet të hetohet”, u shpreh Rugova.