Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​ZKA paraqiti rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë

 
   

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka prezantuar rezultatet individuale të tri auditimeve duke përfshirë auditimin e performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021 dhe dy auditime të pajtueshmërisë “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në Komunën e Ferizajt si dhe “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”.

Në një konferencë për media, Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së, Vlora Spanca derisa shpalosi rezultatet tha se auditimi ka nxjerrë në pah se gjatë përmbylljes së shitjeve direkte të aseteve, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk ishte treguar efikase pasi që trajtimi i kërkesave për blerje nuk ishte bërë në kohë optimale.

Spanca potencoi se nga 118 shitjet direkte të audituara, tek 90 prej tyre kishte ndërtime pa lejen e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh) përkatëse ose AKP-së. Ajo tregoi se nga 90 mostrat e identifikuara me ndërtime pa leje, në 76 raste NSh apo AKP-ja nuk ka ndërmarrë masa për të ndërtuar ndërtimet pa leje, ndërsa në 14 raste AKP-ja ka ndërmarrë masa të ndryshme.

Spanca tha se në modulin e shitjeve direkte janë dorëzuar 2 mijë e 233 kërkesa nga palët pretenduese, ku prej tyre AKP-ja ka trajtuar vetëm 558 kërkesa.

Për këtë , ZKA ka dhënë shtatë rekomandime.

Spanca: Auditimi ka evidentuar se nga 118 shitjet direkte të audituara

“Auditimi ka evidentuar se nga 118 shitjet direkte të audituara, tek 90 prej tyre kishte ndërtime pa lejen e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh) përkatëse ose AKP-së. Nga 90 mostrat e identifikuara me ndërtime pa leje, në 76 raste NSh apo AKP-ja nuk ka ndërmarrë masa për të ndërtuar ndërtimet pa leje. Ndërsa në 14 raste AKP-ja ka ndërmarrë masa të ndryshme, si: padi gjyqësore, kërkesa për inspektoratin, kallëzim pena, masë të përkohshme…Sipas bazës së të dhënave të AKP-së për Modulin e shitjeve direkte janë dorëzuar 2 mijë e 233 kërkesa nga palët pretenduese. Prej tyre, AKP-ja ka trajtuar vetën 558 kërkesa apo 25 për qind të tyre…Bordi kishte trajtuar vetëm kërkesat e ekonomive familjare duke lënë anash kërkesat e subjekteve juridike (bizneseve)”, tha Spanca.

Ndërkaq, në auditimin “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në Komunën e Ferizajt për periudhën 01.01.2022 deri 30.09.2023”, Spanca tha se rezultatet tregojnë se Komuna e Ferizajt nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira dhe se rreth 66 për qind e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi.

Auditorja e përgjithshme në ZKA, Vlora Spanca potencoi se në dy raste, komuna kishte nënshkruar marrëveshje për dhënien në shfrytëzim të pronave pa aprovim paraprak nga Kuvendi Komunal.

Ndërkaq, në dy raste të tjera, kjo komunë kishte shpërblyer me kontratë përfituesit që nuk i kishin përmbushur kriteret e vendosura me thirrjen publike me ankand.

Lidhur me këto parregullsi, ZKA ka dhënë pesë rekomandime.

Spanca: Ferizaj nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira

“Rezultatet e auditimit tregojnë se Komuna e Ferizajt nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira. Rreth 66 për qind e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi. Në dy raste, komuna kishte nënshkruar marrëveshje për dhënien në shfrytëzim të pronave pa aprovim paraprak nga Kuvendi Komunal dhe pa zhvilluar procedura të konkurrimit siç kërkohet me ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës. Në dy raste, komuna kishte shpërblyer me kontratë përfituesit që nuk i kishin përmbushur kriteret e vendosura me thirrjen publike me ankand…Në shtatë raste komuna nuk kishte siguruar mekanizma për monitorimin e kontratave dhe nuk kishe marrë veprime për shkëputjen e kontratave të qiramarrësve në rast moskryerjes së obligimeve që rrjedhin nga kontrata”, potencoi Spanca.

Përveç këtyre, Spanca prezantoi edhe rezultatet e auditimit “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”, për çka tha se MSh-ja nuk ka arritur t’i kontraktoj një numër të rëndësishëm të prokurimeve të planifikuara.

Ajo theksoi se një numër prej 35 procedurave që kishin të bënin kryesisht me furnizime me pajisje mjekësore dhe barna në vlerë mbi 4.5 milion euro ishin anuluar nga vetë ministria.

Spanca: Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur disa prokurime të planifikuara t’i kontraktojë

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që një numër të rëndësishëm të prokurimeve të planifikuara t’i kontraktoj…Një numër prej 35 procedurave që kishin të bënin kryesisht me furnizime me pajisje mjekësore dhe barna në vlerë mbi 4.5 milion euro ishin anuluar nga vetë ministria. Ndarja në shumë Llot-eve e aktivitetit të prokurimit për ‘Furnizim me pajisje mjekësore, instrumente mjekësore për njësitë organizative të pajisjeve mjekësore, instrumenteve mjekësore për njësitë organizative të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në vlerë të parashikuar rreth 1.9 milionë euro nuk kishte rezultuar të jetë shumë efikase. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kishte planifikuar dy kontrata të mëdha furnizimi si “Furnizim me Mikrokartela dhe Serume për grupe të gjakut’ në vlerë rreth 690 mijë euro dhe ‘Furnizim me qese të gjakut’ me vlerë prej 960 mijë euro, për të cilat nuk kishte publikuar njoftimin paraprak”, tregoi Spanca.

Derisa pesë rekomandime janë dhënë edhe për këtë auditim.

Në konferencë për media, Spanca bëri të ditur se deri më 31 gusht të këtij viti do të publikohen tri raporte të auditimit për performancë duke përfshirë Prishtina Parkingun, pronat e Institutit Bujqësor dhe listën e pritjes së pacientëve.