Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka deklaruar se Qeveria Kurti në tri vitet e saj është marrë vetëm me çështjen e dialogut.
Zogaj në emisionin “Këndi i Debatit” renditi gjashtë tema me të cilat sipas tij, është marrë Qeveria, duke nisur me targat ilegale e deri te ndalimi i përdorimit të dinarit serb.
“Unë i rendita gjashtë tema të cilat neve na kanë ardhë në tavolinë për tri vite. Targat fillimisht edhe mandej 3 – 4 muaj deri në 6 muaj me target. Pastaj bllokimi i mallërave 3-4 muaj, deri 6 muaj shkoj një vit. Pas asaj, zgjedhjet shkuan edhe 6 muaj tjerë. Pas zgjedhjeve energjia bitcoini, gjetja e atyre minierave që quhen miniera të bitcoinave të cilat shpenzonin energji të jashtëzakonshme atje pa pagesë. Banjska terrorizmi, do me thënë skandali më i madh i paparë në vend edhe gjashtë muaj tash dinari vjen”, tha ai.
Madje Zogaj pyeti se pse duhet që çështja e dinarit të jetë prioritet në vendin tonë, dhe kur ka dalë sipas tij, një qytetarë i Kosovës të ankohet për dinarin serb.
“Kur ka qenë dinari temë në vendin tonë, pse duhet kjo temë me ardhë sot… çfarë prioriteti sot për qytetarin e Kosovës është dinari në veri të vendit. Çfarë prioriteti për qytetarin e Kosovës për krejt qytetarët e Kosovës në përgjithësi po flas, kur ka qenë temë. Kur ka dalë një qytetarë i Kosovës mu anku pse në një pjesë të vendit në veri atje përdorët dinari për shitblerje”, tha Zogaj.
Ndryshe, bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Kështu tha në fund të takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.
Për javën e ardhshme, ai paralajmëroi një takim tjetër, për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, “do të ishte i pranueshëm për Kosovën”.
Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.