Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka shpallur disa nga prioritetet e tij kryesore gjatë një tubimi elektoral në Vushtrri, duke premtuar reforma ekonomike, investime në infrastrukturë dhe thellim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Abdixhiku u zotua se vizita e tij e parë si kryeministër do të jetë në ShBA, ku do të kërkojë që Kampi Bondsteel të bëhet i përhershëm në Kosovë. Ai gjithashtu përgëzoi presidentin amerikan, Donald Trump.
“Vizitën e parë si kryeministër do ta bëjë në SHBA dhe kërkesën e parë do ta bëjë që kampi Bondstel të jetë i përhershëm dhe me një fjalë ’Zoti naltë e Amerika poshtë”, ka thënë Abdixhiku.
Në programin e tij elektoral, Abdixhiku premtoi investime prej 5 miliardë eurosh dhe një rritje ekonomike prej 5% në vit.
Ai siguroi se rritja e pagave për shërbyesit publikë, duke përfshirë mësuesit, mjekët, policët dhe zjarrfikësit, do të ndodhë që në javën e parë të qeverisjes së tij, duke rritur koeficientin në 150 euro.
“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpar jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5 për qind rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë, pra në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë: mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit, do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150 që në javën e parë në krye të Qeverisë”, ka shtuar pretendenti i LDK-së për kryeministër.
Një nga pikat kryesore të programit të tij është ndërtimi i Spitalit të Ri të Kosovës me një investim prej 500 milionë eurosh.
“Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin të shqetësuar, tek kërkojnë shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona të frikësuara, këtu, në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne, ashtu siç e meriton vendi ynë i bukur”, ka thënë Abdixhiku.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e themelimit të Ministrisë së Familjes dhe Mirëqenies, duke u zotuar se shteti do të mbulojë të gjitha shpenzimet e vitit të parë për çdo të porsalindur në Kosovë.
Për të rinjtë, ai premtoi Programin Kombëtar për Trajnime në Teknologji, që synon trajnimin dhe punësimin e 40 mijë të rinjve brenda katër vitesh.
“Për prindërit tanë, për fëmijët tanë, për familjet tona, LDK do të themelojë për herë të parë, Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies, sipas modeleve Perëndimore. Sepse, për ne, të djathtit, familja është e shenjtë. Sepse, për ne, të djathtit, investimi në familje është investim në Kosovë. Prandaj, për çdo të porsalindur në Kosovë, për secilin të porsalindur në Kosovë, shteti ynë do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e vitit të parë. Për të rinjtë tanë, ata që janë në prag të mbledhjes së valixheve e ikjes nëpër botë, kemi Programin Kombëtar për trajnime në teknologji. Plot 40 mijë të rinj e të reja, në katër vjet, do të përfitojnë nga ky program trajnimi, që u jep edhe paga të larta, edhe vende të sigurta edhe qëndrim në Kosovë, ka deklaruar Abdixhiku.
Në fushën e sigurisë, Abdixhiku deklaroi angazhimin për të pasur 10 mijë policë, 6 mijë ushtarë dhe ndërtimin e katër kazermave të reja. Ai e cilësoi sigurinë dhe mbrojtjen si detyra prioritare të qeverisë së tij.
“Në siguri e mbrojtje, do t’i kemi 10 mijë polic, me polici në bashki – pra polic për secilën lagje në vend; do t’i kemi 6 mijë ushtarë, 4 kazerma të reja e 2 lagje të reja ushtarake. Siguria jonë, mbrojtja jonë, janë detyrat tona”.