Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka deklaruar se çysh nga viti 2014, kur edhe ka filluar hartimi i Kodit Civil në Republikën e Kosovës, janë shpenzuar diku 12 milionë euro.
Sipas Sallahut, 12 milionë euro të Bashkimit Evropian janë shpenzuar për një ligj i cili sipas tij, ka më shumë përmbledhje të kodeve.
“Unë vet kam punuar në Kodin Civil, është me rëndësi me cekë për qytetarët ju e dini që Kodi Civil ka fillu me u hartu nga viti 2014 dhe për këtë Kod në ekspertizat e ndryshme qoftë të mira, qoftë sa për sy e faqe, janë shpenzuar diku 12 milionë euro. 12 milionë euro dikun janë hargju për nëse nuk gaboj për 400 faqe, nëse nuk gaboj me faqe dhe i ka dikund afër ndoshta dy mijë nene. 12 milionë euro të Bashkimit Evropian janë shpenzu për ekspertë qoftë vendor, qoftë ndërkombëtarë për të hartuar një ligj të tillë i cili më shumë ka qenë përmbledhje sepse kodet zakonisht janë përmbledhje të ligjeve materiale, janë përmbledhë ato 12 milionë euro janë shpenzu”, tha Sallahu.
Zv.ministri i Drejtësisë, tha se bashkë me ministren që e drejton këtë dikaster, Albulena Haxhiu kanë organizuar tryeza me gjyqtarë të fushës civile, të cilët sipas tij, kanë bërë përmirësime të jashtëzakonshme brenda atij projektkodi.
“Kur kemi ardhë ne në qeveri e kemi pa atë kod dhe ka pasë jashtëzakonisht problem të mëdha ai kod. Çka kemi bë ne, bashkë me ministren Haxhiu kemi organize tri tryeza me gjyqtarë të fushës civile, kanë bërë përmirësime të jashtëzakonshme brenda atij projektkodi dhe sot kemi ardhë deri te një finalizim i saj. Tash në njërën anë të gjitha nenet pra janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, edhe neni 1138 i cili ka të bëjë me bashkësitë civile të regjistruara. Sipas ekspertëve është në përputhje me Kushtetutën, mirëpo është edhe një e drejtë ekskluzive kushtetuese e deputetëve, a dojnë të votojnë një kod apo nuk dojnë të votojnë një kod”, tha tutje ai.
“Kodi do të kalohet sepse nuk ka element politik. Kodi i rregullon çështjet civile pra, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shtoi Sallahu.