“Ajo që ata (Serbia) e thonin gjatë sesionit dëgjimor ishte e pavërtetë…Ata e shtyenin përpara narrativën e regjimit të Vuçiqit, ndër të pavërtetat që i thanë, mund të ju konfirmoj se asnjë teori që e thonin nuk ishte e vërtetë. Thonin se Republika e Kosovës, veqanërisht Qeveria aktuale është duke ua marrë të drejtën civile, duke ua marrë pronat, është duke ndërtuar në mënyrë ilegale baza ushtarake…”.
Kështu u shpreh Arbër Vokrri, zv.ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, derisa tregoi se çfarë kishte thënë pala serbe në Parlamentin Evropian.
Vokrri, në emisionin “FIVE”, u shpreh se kanë një pakënaqësi me atë që u ballafaquan në Parlamentin Evropian.
“Por nuk është kjo ndjenja dominuese sepse atje takuam edhe miqtë e Republikës së Kosovës, zyrtarë të Parlamentit Evropian, deputetë, të cilët ishin të mire-informuar dhe që në vazhdimësi janë në mbështetje të Republikës së Kosovës”, ka thënë Vokrri.
Vokrri është shprehur se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kishte ndryshuar qëndrim.
“Ajo e koordinonte, apo e lehtësonte veprimtarinë e një grupi të OJQ-ve, të regjistruar nga qytetarë serbë në Republikën e Kosovës, e të cilët në mënyrë periodike vizitojnë Brukselin për të jepur anën e tyre se si i shohin zhvillimet në Kosovë, e që janë të dëmshme për imazhin e Kosovës”, ka thënë tutje Vokrri.