Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Zvarritet paga minimale, s’dihet a do të procedohet në seancë apo mund të tërhiqet nga qeveria

Paga minimale vazhdon të mbetet ende 130-170 euro. Përkundër premtimit të Qeverisë së Kosovës për rritje të pagës mininale, ky projektligj po vazhdon të zvarritet qe në vit nga pushteti. Kështu vlerësojnë deputetët opozitarë. LDK kërkon që paga minimale të kthehet prapa me arsyetimin se është jashtë kontekstit ekonomik e social në vend. Ndërsa, AAK konsideron se qeveria po dështon t’i miratojë ligjet që nuk i konvenojnë.

Projektligji për pagën minimale në lexim të dytë ka kaluar ne Komisionin për Buxhet javën që shkoi, mirëpo pushteti ende ka mëdyshje nëse do të procedohet si i tillë projektligji në seancë apo mund të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës. Ndërkaq, njohësit e ekonomisë konsiderojnë se është e rëndësishme mënyra se si vjen te paga minimale, sipas tyre duhet të shikohet mundësia për rritjes së shumës nga ajo që është prezantuar.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila të hënën, pas mbledhjes së kryesisë deklaroi se projektligji për pagën minimale në lexim të dytë ka kaluar në Komisionin për Buxhet javën që shkoi, mirëpo ka theksuar se mbetet me një vendim të qeverisë se a do të procedohet si i tillë projektligji në seancë apo mund të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës

Kusari-Lila: Mbetet vendimi i qeverisë se a do të procedohet si i tillë projektligji në seancë apo mund të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës

“Projektligji për pagën minimale në lexim të dytë ka kaluar ne Komisionin për Buxhet javën që shkoi dhe po ashtu amendamentet, të cilit gati se e bëjnë të pa zbatueshëm ligjin për shkak të normës, edhe të pagës minimale edhe të disa provizioneve të tjera, të cilat kanë kaluar atë ditë. Mbetet tash me një vendim të qeverisë se a do të procedohet si i tillë projektligji në seancë apo mund të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës”, theksoi Kusari Lila.

Se Ligji duhet të tërhiqet prapa e thotë edhe deputeti nga LDK, Avdullah Hoti. Sipas tij, Ligji është diskutuar më shumë se një vit përpara se të hy në krizën e rritjes së çmimeve, me ç’rast, thotë se edhe paga minimale që kanë propozuar është jashtë kontekstit ekonomik dhe social në vend.

Hoti kërkon që në diskutim duhet të përfshihen të gjitha kategoritë që marrin pensionet e tyre lidhen me pagën minimale.

Hoti: Paga minimale që kanë propozuar është jashtë kontekstit ekonomik dhe social në Kosovë

“Ligji është diskutuar më shumë se një vit përpara se të hy në krizën e rritjes së çmimeve. Pra, edhe paga minimale që kanë propozuar është jashtë kontekstit ekonomik dhe social në Kosovë. Prandaj, kam kërkuar që të kthehet prapa, të zhvillohen konsultimet e nevojshme me këshillin ekonomik social e të bëhet vlerësimi sipas procedurës që kërkon ligji dhe që kërkojnë konventa ndërkombëtare të organizatës ndërkombëtare të punës. Propozimi i tyre nuk e kryen funksionin të cilin e ka paga minimale, dhe janë problemet e tjera politike që lidhen me kategoritë e ndryshme që marrin pensione ose asistencë sociale, e cila mbështetje lidhet me pagën minimale, për grupet siç janë veteranët ose personat paraplegjik, që pensionet e tyre lidhen me pagën minimale, edhe me ata duhet të diskutohet mënyra sesi do të ndikohen ata nga ky vendim i qeverisë”, thotë Hoti.

Ndërkq, deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj thotë se kjo qeveri ka dështuar sa i përket miratimit të ligjeve. Sipas tij, qeveria e ka humbur arsyen për të qenë në qeverisje dhe sa më e para që shkon aq më mirë është për qytetarët e Kosovës.

Lekaj: Kjo qeveri e ka humbur arsyen për të qenë në qeverisje

“Sa i përket Ligjit për pagën minimale edhe në aspektet tjera kjo qeveri ka dështuar dhe atëherë kur nuk i bie tamam edhe i prolongon ligjet. Është me të ardhë keq që ka kaluar ligji në komision për buxhet dhe nuk procedohet në Kuvend. Dhe tani siç ka informacione, qeveria nuk është e kënaqur edhe me votën e deputetëve që është legjitime, autonome dhe që duhet të procedohet patjetër. Mirëpo, nëse ndodh kjo, është tjetra hapësirë që vet me iniciativën e deputetëve mund të fillohet amandamentimi i ligjit. Mendoj se kjo qeveri e ka humbur arsyejen për të qenë në qeverisje dhe sa më e para që shkon aq më mirë është për qytetarët e Kosovës”, thotë Lekaj.

Ndërsa, njohësit e ekonomisë bëjnë thirrje qeverisë që t’i bëjnë gjithë parametrat e nevojshëm për pagën minimale. Sipas tyre, krahasim me krizën e inflacionit në vend, paga e propozuar nuk është e mjaftueshme.

Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdiaj thotë se për punëtorët edhe 250 euro sot nuk është e mjaftueshme, nëse merret parasysh rritja e çmimeve dhe kostot e jetesës në vend.

Avdiaj: Për punëtorët edhe 250 euro sot nuk është e mjaftueshme nëse merret parasysh rritja e çmimeve

“Përcaktimi i pagës minimale në një vend është një kriter, i cili e ndihmon rritjen e dinjitetit të punëtorëve…2:10 Shumë e rëndësishme është mënyra se si vjen te paga minimale, nëse ata i kanë gjithë parametrat dhe i kanë bërë gjitha matjet e nevojshëm për të parë efektin e pagës minimale në ekonomi..2:45 Për punëtorët edhe 250 euro sot nuk është e mjaftueshme nëse marrim parasysh rritjen e çmimeve dhe kostot e jetesës në vend”, shprehet Avdiaj.

Se Ligji i pagës minimale duhet të rritet e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna.

Rafuna: Kish me qenë shumë i mirëseardhur që ta kemi së paku një ligj dhe ta kemi një ngritje të pagës minimale

“Është shumë më rëndësi me pas Ligjin për pagën minimale, është me rendesi me pas të përcaktuar pagën minimale dhe të rritet, pasi ka mbetur me një shumë të ultë e që nuk qon peshë as për sektorin provat e publik, sepse sektori privat ka avancuar shumë në rritjen e pagave. Kish me qenë shumë i mirëseardhur që ta kemi së paku një ligj dhe ta kemi një ngritje të pagës minimale sepse është mirë për të gjithë ata që inkuadrohen në vendet e punës.”, deklaron ai.

Kujtojmë që, Kuvendi i Kosovës më 14 qershor të vitit të kaluar ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale. Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.