Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zyrtari gjerman: Jemi vetëm disa hapa nga përshkallëzimi serioz i situatës në veri, Gjermania të angazhohet më seriozisht

 
   

Zyrtari gjerman, Milan Nic, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, ka deklaruar se roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të zvogëlohet, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet atje – qoftë Kamala Harris, qoftë Donald Trump.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se është koha që Bashkimi Evropian, e sidomos Gjermania të angazhohen më seriozisht në zgjidhjen e konflikteve të mbetura në Ballkanin Perëndimor.

Kur është pyetur se cili është konflikti më urgjent i pazgjidhur në Ballkanin Perëndimor, Nic tha se është veriu i Kosovës.

“Veriu i Kosovës. Është edhe situata e brendshme në Bosnje e Hercegovinë, por atje ekziston një infrastrukturë diplomatike ndërkombëtare, e cila mendoj se është mjaft e qëndrueshme. Ndaj, Millorad Dodik [udhëheqësi i Republikës Sërpska], sa herë përpiqet t’i tejkalojë kufijtë, e kupton se do të humbasë.

Në veri të Kosovës, situata është më e brishtë. Unë mendoj se ka një lojë pritjeje jo vetëm për zgjedhjet në SHBA, por edhe për përfundimin e luftës ose për një lloj zhvillimi në luftën në Ukrainë, që do të ketë ndikim në situatën e përgjithshme të sigurisë evropiane dhe që do të krijojë një lloj të ri precedentësh, edhe për Ballkanin Perëndimor.”

Sipas tij, “jemi vetëm disa hapa nga përshkallëzimi serioz i situatës në veri” të Kosovës”, duke shtuar se megjithatë palët po kujdesen që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Në veriun e Kosovës, më shumë gjëra kanë ndodhur në një ose dy vjetët e fundit sesa në disa vitet e fundit. Është një situatë krejtësisht e re. Tani është policia speciale e Kosovës që kontrollon situatën në terren. Beogradi është duke humbur, sepse serbët janë tërhequr nga institucionet. Ata kanë gabuar dhe nuk e dinë se si të kthehen.

Mendoj se jemi vetëm disa hapa nga përshkallëzimi serioz i situatës në veri të Kosovës. Deri më tani, nuk ka ndodhur. Mendoj se ka një qasje të kujdesshme nga të dyja palët që të mos ndodhë, por janë disa situata të vogla në terren që mund të përshkallëzohen.”

Nic është bashkautor i një artikulli që publikoi javën e kaluar Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, me titull “Si mund ta tronditin Ballkanin Perëndimor zgjedhjet në SHBA?”.