Zëvendës ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Deidre Brown, ka folur me rastin e 25 vjetorit të fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s. Deidre ka thënë se konfliktet që kanë ndodhur gjatë viteve 90-ta e që e kishin shoqëruar shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë qenë një kohë e errët edhe për Evropën.
Zyrtarja britanike ka kujtuar fjalët e Sekretarit të NATO-s në vitin 1999 se fushata e bombardimeve e udhëhequr nga NATO s’ka qenë kundër popullit serb dhe se ajo kishte nisur për t’iu dhënë fund abuzimeve në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të kryera në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, e që kanë pasur implikime në sigurinë e rajonit dhe atë të Evropës.
“Fushata pasoi më shumë se një vit përpjekjesh intensive nga OKB-ja dhe Grupi i Kontaktit dhe ishte zgjidhja e fundit në përgjigje të vrasjeve masive dhe një krize humanitare. Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë, i themeluar nga ky Këshill në tetor 1998, luajti një rol kyç në vendosjen objektive të situatës në terren”, ka thënë ajo, shkruan Express.
Deidre tutje ka shtuar se pas vitesh konflikti dhe dhune, ndërhyrja e NATO-s i kishte dhënë fund armiqësive, duke rihapur perspektivat për komunitetet për të ndërtuar një të ardhme pozitive së bashku.
Duke përmendur ngjarjet e fundit, zyrtarja britanike ka thënë se normalizimi dhe pajtimi vazhdojnë të mbeten ende të pakaptshme. Ajo iu ka bërë thirrje të dy shteteve që të zbatojnë angazhimet e marra në kuadër të procesit të noramlizimit.
“Kosova e vitit 2024 është e panjohshme nga ajo e vitit 1999 dhe ne jemi krenarë për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen e progresit të saj. Ashtu si partnerët e tjerë të NATO-s, Mbretëria e Bashkuar po punon për të ndërtuar partneritete largpamëse me Serbinë, Kosovën dhe vende të tjera në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne inkurajojmë të gjitha shtetet në rajon që të respektojnë Deklaratat e tyre të Përbashkëta të vitit 2018 për të bashkëpunuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, personat e zhdukur dhe trajtimin e krimeve të luftës, të bëra në kuadër të Procesit të Berlinit. Ngjarjet e fundit kanë treguar se edhe sot, normalizimi dhe pajtimi mbeten të pakapshme. U bëjmë thirrje liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë angazhimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të tyre dhe për të ofruar të ardhmen paqësore, të qëndrueshme dhe të begatë që qytetarët e tyre meritojnë”, ka përfunduar ajo.