Nënsekretarja e Departamentit të Shtetit për diplomaci publike dhe çështje publike, Elizabeth M. Allen ka arritur për një vizitë në Kosovë.
Ajo gjatë ditës ka vizituar lokacionin arkeologjik të Dresnikut, Komuna e Klinës, së bashku me ambasadorin e SHBA-së Jeffrey Hovenier dhe ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku.
“Përvojë e pabesueshme për të dëshmuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës sot. Së bashku me nënsekretaren e Departamentit të Shtetit për diplomaci publike dhe çështje Liz Allen, ne zbuluam disa mozaikë mbresëlënës romakë dhe vizituam lokacionin arkeologjik të Dresnikut. E gjithë puna e mundësuar nga projekti ynë në vazhdim e Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Kulturës AFCP”, ka shkruar Hovenier në X.
Projekti Dresnik AFCP përkrahet bashkërisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet nga CHwB Kosova. Qe nga 2005, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka mbështetur 22 projekte të trashëgimisë kulturore dhe të ruajtjes në mbarë Kosovën, me një vlerë totale prej afro 3.5 milionë dollarësh.
Ndryshe, nënsekretarja e Departamentit të Shtetit për diplomaci publike dhe çështje publike, Elizabeth M. Allen nesër do të pritet në takim nga kryeministri i Albin Kurti, në orën 10:15.